Gjykata Themelore në Pejë e dërgoi në paraburgim Jeton Sylajn, ish-bashkëshortin e Arlinda Zekajt, të cilin ajo e kishte lajmëruar për dhunë në familje vetëm pak para vrasjes. Vendimi zbulon fjalët e saj në Polici dhe gjashtë rastet penale të hapura ndaj tij.

Gjykata Themelore në Pejë caktoi të martën, më 27 tetor, masën e paraburgimit ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, nën dyshimin për veprën penale "Mospërfillja e gjykatës". Vendimi erdhi dy ditë pasi Zekaj u vra mbrëmjen e 25 tetorit, pak pasi e kishte lajmëruar Sylajn në Polici për dhunë në familje. I dyshuar për vrasjen e saj është ish-kunati, A.S.
Natën që u vra, para policëve, Zekaj kishte bërë një pyetje që tani rëndon mbi gjithë rastin: "A duhet me më vra mua Jetoni që ju policia atëherë ta arrestoni shizofrenin?"
Vendimi i plotë i gjykatës, i siguruar nga "Betimi për Drejtësi", rindërton seancën dëgjimore. Prokurori i shtetit Argzon Hasi qëndroi tërësisht pas kërkesës për paraburgim, duke theksuar se ishin plotësuar kushtet ligjore. Sipas tij, gjatë intervistës para njësitit të dhunës në familje, viktima kishte treguar se i pandehuri e kishte kanosur me fjalët "unë të thej, të mbys, çka lyp ti në shtëpinë time, ti nuk guxon më kështu me vepru, kush je ti", dhe më pas ia kishte marrë rrobat e ia kishte hedhur në oborr.
Prokurori Hasi i paraqiti gjykatës edhe të kaluarën e të pandehurit: gjashtë raste penale të hapura, katër prej të cilave datojnë në vitin 2026. Mbi këtë bazë, Prokuroria vlerësoi se, nëse lihet në liri, Sylaj mund të arratiset për t'iu shmangur përgjegjësisë penale.
Sipas vendimit, i pandehuri zgjodhi të mbrohej në heshtje, por para gjykatës shprehu keqardhje: "Ndjej keqardhje për këtë çka ka ndodhur, jam munduar ta parandaloj".
Mbrojtja e kundërshtoi ashpër paraburgimin. Avokati Gani Kelmendi, i caktuar sipas detyrës zyrtare, tha se klientit të tij i vjen keq për atë që, sipas tij, ndodhi pa dëshirën e tij. "Klienti im nuk ka kryer dhunë fizike ndaj viktimës", deklaroi ai. Kelmendi pretendoi se Sylaj u kishte kërkuar vetë policëve që të mos e lejonin Zekajn të shkonte në shtëpi, për shkak se marrëdhëniet mes tyre ishin të këqija.
Për natën kritike, avokati dha një version tjetër të ngjarjes me rrobat: sipas tij, Sylaj i kishte kërkuar ish-bashkëshortes që të mos ia nxirrte rrobat nga lavatriçja derisa të pastroheshin, por ajo i nxori dhe i hodhi. Kelmendi mohoi edhe pretendimet për fjalët që Sylaj i kishte drejtuar Zekajt dhe argumentoi se nuk ka rrezik arratisjeje, sepse pasaporta e të pandehurit gjendet te organet e hetuesisë. Ai kërkoi që ndaj klientit të tij të caktohej një nga masat alternative.
Vetë Sylaj e kundërshtoi në tërësi propozimin e Prokurorisë, duke përmendur fëmijën e tij: "Kam fëmijën 12-vjeçar që tani s’di ku është, ka nevojë për kujdesin tim". Ai tha se pasaportën amerikane ia kanë marrë hetuesit, ndërsa atë të Kosovës ia kishte marrë e ndjera, prandaj, sipas tij, nuk mund të largohet.
Argumentet e mbrojtjes nuk e bindën gjykatën. Gjyqtarja e procedurës paraprake, Selvije Morina-Zejnaj, vlerësoi se kërkesa e Prokurorisë ishte e bazuar, sepse ishin plotësuar kushtet për paraburgim. Kundër aktvendimit lejohet ankesë brenda 48 orëve.
Pesë punëtorë janë lënduar pasi një pllakë betoni u shemb në një objekt në ndërtim në Prizren. Njëri prej tyre ka marrë lëndime më të rënda në këmbë, konfirmon policia.

