Ekipet e mbrojtjes civile në Gaza përfunduan të shtunën nxjerrjen e mbetjeve mortore të 55 palestinezëve nga rrënojat e një ndërtese banimi të goditur nga një sulm ajror izraelit në nëntor 2023. Të gjithë ishin pjesëtarë të një familjeje të vetme, familjes Malka.

Pas tre ditësh gërmimesh me mjete kryesisht të dorës, ekipet e mbrojtjes civile në Gaza nxorën nga betoni i thyer mbetjet mortore të 55 palestinezëve. Të gjithë ishin pjesëtarë të familjes Malka dhe ndodheshin brenda shtëpisë familjare në lagjen Zeitoun të qytetit të Gazës kur ajo u godit nga një sulm ajror izraelit në nëntor 2023.
Operacioni i rikuperimit përfundoi të shtunën, sipas mbrojtjes civile të Gazës. Koloneli Muhamed Abu Dan, i cili mbikëqyr ekipet e shpëtimit, tha se gjatë 72 orëve të fundit ata kishin kërkuar mbi 60 trupa viktimash nga familja Malka. Ai u ka bërë thirrje organizatave humanitare ndërkombëtare të sigurojnë sa më shumë pajisje, që ekipet e tij të nxjerrin nga rrënojat numrin më të madh të mundshëm të njerëzve, njoftoi Zyra Qeveritare e Medias në Gaza.
Ndërtesa u godit nga forcat izraelite më 19 nëntor 2023, në një kohë kur anëtarët e familjes kishin kërkuar strehim brenda saj pasi ishin zhvendosur nga banesat e tyre gjatë luftës, raportoi agjencia palestineze e lajmeve Wafa. Meqë shumica e trupave tashmë janë nxjerrë, pritet që fundjavën e ardhshme të mbahet një procesion i përbashkët funerali.
Puna e nxjerrjes së të vdekurve nga nën rrënoja ecën ngadalë, e penguar nga mungesa kronike e makinerive të rënda për të hequr betonin e shkatërruar. Sipas Qendrës Satelitore të Kombeve të Bashkuara, 82 për qind e të gjitha ndërtesave në Gaza janë shkatërruar ose dëmtuar gjatë luftës. Ministria e Shëndetësisë në Gaza, së bashku me agjencitë e OKB-së dhe organizatat e ndihmës, vlerësojnë se mes 10.000 dhe 14.000 njerëz mbeten të zhdukur nën rrënoja në të gjithë territorin.
Operacioni u zhvillua në një kohë kur debati për fatin e popullsisë së Gazës është rindezur. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Izrael, Mike Huckabee, deklaroi para gazetarëve në Turmus Ajja, një qytezë në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, se nuk ekziston asnjë plan për të detyruar palestinezët të largohen nga Gaza. "Mund t'ju them në mënyrë kategorike se nuk ka asnjë plan të izraelitëve për të zhvendosur njerëzit jashtë Gazës kundër vullnetit të tyre", tha ai. Ai shtoi: "Askush nuk po sugjeron se do të ketë zhvendosje me forcë. Izraelitët jo. Amerikanët sigurisht jo. Nuk njoh askënd që e mbështet këtë."
Deklarata e tij erdhi pasi dy ministra izraelitë kishin hedhur në qarkullim propozime për largimin masiv të njerëzve nga territori i rrethuar. Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se nuk ka "asnjë zgjidhje reale për Gazën në fund pa këtë migrim", ndërsa ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, paraqiti një plan shtatëvjeçar për dëbimin e popullsisë së Gazës përmes asaj që ai e përshkroi si "emigrim vullnetar".
Ndërkohë, viktimat vazhdojnë. Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se spitalet e territorit pranuan 17 trupa dhe 27 të plagosur gjatë 48 orëve të fundit. Mes tyre ishin pesë viktima të reja, një person që ndërroi jetë nga plagët e mëparshme dhe 11 trupa të nxjerrë nga nën gërmadha. Sipas ministrisë, viktima të tjera mbeten të bllokuara nën rrënoja ose të shtrira nëpër rrugë, ndërsa ekipet e ambulancave dhe të mbrojtjes civile ende nuk arrijnë t'u afrohen atyre.
Të shtunën, të paktën tre palestinezë u plagosën në sulme izraelite: dy prej tyre në një sulm në një plazh në zonën el-Khalidi, në veri të qytetit të Gazës, dhe një në një sulm të shënjestruar në zonën el-Sudanijja, në veriperëndim të qytetit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, që nga hyrja në fuqi e "armëpushimit" tetorin e kaluar, të paktën 1.344 persona janë vrarë dhe 4.464 janë plagosur, ndërsa të paktën 815 trupa janë nxjerrë nga rrënojat. Bilanci i përgjithshëm i të vdekurve që nga tetori i vitit 2023 është ngjitur në 73.470, me të paktën 174.540 të plagosur.
Një pallat nëntëkatësh në Kiev u përfshi nga flakët të premten pas bombardimeve ruse, ndërsa dronët ukrainas kanë vënë në shënjestër rafinerinë e Saratovit. Moska po detyrohet të importojë karburant, edhe nga nafta e vet e rafinuar jashtë vendit.

