Një burrë 68 vjeç dhe bashkëshortja e tij 65 vjeçe humbën jetën pasi zjarri përfshiu banesën e tyre në Tiranë. Policia ka arrestuar bashkëjetuesin 35-vjeçar të vajzës së tyre, ndërsa djali i çiftit rrëfen kërcënimet e mëparshme.

Ilustrim i krijuar me inteligjencë artificiale. Nuk është fotografi e ngjarjes. Si e përdorim AI-në
Benzinë te pragu i derës, dy të moshuar në gjumë dhe një nip brenda në shtëpi. Kështu e rrëfen djali i viktimave natën kur zjarri përfshiu banesën e prindërve të tij në rrugën "Ali Shefqeti", në Shkozë të Tiranës, ku humbën jetën një burrë 68 vjeç dhe bashkëshortja e tij 65 vjeçe.
Policia ka arrestuar një 35-vjeçar me inicialet A.I., i cili dyshohet se i vuri zjarrin banesës. Çifti, I.Z. dhe A.Z., ishin prindërit e bashkëjetueses së tij. Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 00:30 të 14 tetorit 2026, ndërsa djali i viktimave thotë se ishte ora 11 e darkës.
Menjëherë pas njoftimit për zjarrin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 shkuan në vendngjarje. Hetimet paraprake, me pjesëmarrjen e ekspertëve kriminalistë dhe të specialistëve të rasteve të zjarrvënieve, e drejtuan dyshimin te 35-vjeçari. Të dy bashkëshortët u dërguan në spital, por nuk u mbijetuan plagëve. I dyshuari u arrestua nga policia menjëherë pas ngjarjes.
Djali i çiftit, i cili foli në emisionin "Zemër e Hapur" të moderatores Evis Ahmeti në News24, e përmblodhi tragjedinë me pak fjalë: "U vuri flakën me benzinë". Ai nuk ndodhej në banesë atë natë, por rrëfimin e ka nga e motra, bashkëjetuesja e të dyshuarit.
"Burri i motrës ka ardhur te shtëpia dhe i ka vënë flakën, ka qenë ora 11 e darkës. Prindërit e mi kanë qenë në gjumë, ka qenë edhe nipi aty. Unë nuk kam qenë në banesë. Motra ka thënë se kjo ka ndodhur, pasi ishin zënë në telefon. Për punë telefoni ka ardhur shkaku i sherrit", tha ai.
Sipas tij, gjithçka nisi me një telefonatë të ndërprerë. "Motra e fiku telefonin, sepse i tha babi që fike telefonin se na çmendi. Ai ka marrë benzinë, e ka vendosur te dera dhe e dogji vendin. Motra ka marrë në telefon e na ka thënë se “Hajde se na kanë vendosur flakën”. Motrën e nxorën zjarrfikësit nga banesa. Djali është plagosur, ka marrë dëmtime. Ishin djegur komplet prindërit e mi. Benzinën e ka vendosur te pragu i derës së shtëpisë. Pinte shumë, po dhe punonte."
Nipi i çiftit ndodhet në spital me plagë nga zjarri dhe, sipas xhaxhait, ende nuk e di se gjyshërit e tij nuk jetojnë më. Djali i viktimave pretendon gjithashtu se marrëdhënia e motrës me të dyshuarin ishte e trazuar dhe se ky i fundit i kishte kërcënuar edhe më parë.
"Dhëndri dhe motra kanë pasur raport problematik. Dhëndri edhe më herët kishte bërë kërcënime, duke u thënë se do t’ju vras e do t’ju djeg. Nipi im ishte në banesë dhe është djegur, por se fatmirësisht ka shpëtuar. Nipi nuk e di se gjyshi e gjyshja nuk jetojnë më. Shteti ta dënojë maksimalisht. Nëse shteti s’merr masa, unë do ta heq qafe", deklaroi ai.
Pretendimet e familjes për kërcënimet e mëparshme nuk janë konfirmuar nga policia. I dyshuari mbetet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës, ndërsa hetimet për rrethanat e zjarrit vazhdojnë.
Një jaht 40 metra i gjatë, i nisur nga Franca me 16 burra shqiptarë dhe një të mitur në bord, u ndal në brigjet e Dorset. Kapiteni i tij, një peshkatar shqiptar 58-vjeçar, ka pranuar në gjykatë se lehtësoi emigracionin e paligjshëm dhe pret dënimin më 18 nëntor.

