Urimi për fituesit e zgjedhjeve në Serbi erdhi bashkë me një kërkesë të qartë: Beogradi duhet të ecë drejt normalizimit me Kosovën dhe të zbatojë marrëveshjet e arritura.

Diplomacia shqiptare ka uruar Listën Studentore për fitoren në zgjedhjet në Serbi, por në të njëjtin reagim zyrtar i ka kujtuar Beogradit se normalizimi i marrëdhënieve me Republikën e Kosovës mbetet një përgjegjësi thelbësore.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë (MEPJ) pret nga udhëheqja e re në Serbi angazhim konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, respektim dhe zbatim të marrëveshjeve të arritura, si dhe hapa konkretë drejt marrëdhënieve të qëndrueshme fqinjësore. Tirana kërkon nga Beogradi angazhim konkret për normalizimin me Kosovën, për zbatimin e marrëveshjeve dhe për forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Në qendër të reagimit janë edhe shqiptarët që jetojnë në Serbi. MEPJ thekson rëndësinë e garantimit të të drejtave të tyre dhe mirëpret rezultatin e Koalicionit Shqiptar në Luginën e Preshevës, i cili, sipas projeksioneve paraprake, ka në perspektivë dy mandate parlamentare.
"Ndryshimi politik duhet të krijojë mundësi të reja edhe për paqen dhe bashkëpunimin në rajon. Shqipëria mbetet e gatshme të bashkëpunojë me institucionet që do të dalin nga ky proces zgjedhor, mbi bazën e respektit të ndërsjellë, interesave të përbashkëta dhe angazhimit për një Ballkan Perëndimor më të qëndrueshëm, më të sigurt dhe të orientuar drejt së ardhmes evropiane", thuhet në deklaratën e MEPJ-së.
Policia e Tiranës i ka hedhur prangat 10 personave që dyshohen se sulmuan efektivët me sende të forta dhe mjete piroteknike gjatë protestave të 24 dhe 25 tetorit. Mes të arrestuarve është edhe një shtetas gjerman 23 vjeç.

