Duhej të ishte i mbyllur në shtëpi me vendim gjykate, por sipas policisë një 23-vjeçar në Korçë u përfshi në një konflikt ku një 19-vjeçar mbeti i plagosur me thikë. Pas disa orësh ndjekjeje, i dyshuari u kap, ndërsa në banesën e tij u gjetën kanabis dhe një armë me sfera.

Një i ri 19 vjeç po merr mjekim në spital pasi u godit me thikë në këmbë gjatë një konflikti në lagjen nr. 4 të Korçës. I dyshuari, një 23-vjeçar me inicialet R. I., sipas Policisë së Shtetit, ndodhej në atë kohë nën masën e sigurisë arrest në shtëpi.
Viktima, me inicialet M. A., është jashtë rrezikut për jetën, bëjnë të ditur autoritetet. Menjëherë pas njoftimit për ngjarjen, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, së bashku me Seksionin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nisën punën për identifikimin dhe kapjen e autorit. Pas disa orësh ndjekjeje, banori 23-vjeçar i Korçës u kap dhe u arrestua.
Verifikimet e policisë treguan se R. I. nuk ishte i panjohur për drejtësinë. Masa e arrestit në shtëpi i ishte caktuar për dy vepra penale: plagosje të rëndë me dashje dhe prodhim e shitje të narkotikëve.
Kontrolli në banesën e tij çoi në sekuestrimin e thikës që, sipas policisë, u përdor gjatë konfliktit. Aty u gjetën gjithashtu një sasi kanabisi, e cila nuk është bërë e ditur, si dhe një objekt i zi në formë pistolete që përdorej me sfera.
Materialet procedurale i janë dërguar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë. I dyshuari përballet tani me pesë akuza: plagosje e lehtë me dashje, prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta, prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve sportive, largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit, si dhe prodhim e shitje e narkotikëve. Vendimi për fajësinë i takon gjykatës.
Policia e Tiranës i ka hedhur prangat 10 personave që dyshohen se sulmuan efektivët me sende të forta dhe mjete piroteknike gjatë protestave të 24 dhe 25 tetorit. Mes të arrestuarve është edhe një shtetas gjerman 23 vjeç.

