Ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjë e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, njoftoi tërheqjen e të gjithë personelit nga Ambasada e BeH-së në Beograd, përveç ambasadorit dhe konsullit, si përgjigje ndaj mënyrës si u nderua në Serbi krimineli i luftës i dënuar Ratko Mlladiq.

Punët konsullore të Ambasadës së Bosnjë e Hercegovinës në Beograd do të zhvendosen në Zagreb dhe Podgoricë. Ky është hapi konkret që njoftoi nga Sarajeva ministri i Punëve të Jashtme i BeH-së, Elmedin Konakoviq, i cili tha se do të tërheqë të gjithë personelin e ambasadës në kryeqytetin serb, me përjashtim të ambasadorit dhe konsullit, për t'i ulur marrëdhëniet me Serbinë "në minimumin e mundshëm".
Arsyeja, sipas tij, është sjellja e shtetit serb pas vdekjes së Ratko Mlladiqit, kriminel lufte i dënuar dhe ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Sërpska.
"Sikur të mundja, do t'i ndërprisja menjëherë sot marrëdhëniet diplomatike me Serbinë. Ajo që mundem: do të punoj që marrëdhëniet t'i zvogëlojmë në minimumin e mundshëm. Do ta kufizoj, do ta zvogëloj çdo komunikim me ta. Do t'i tërheqim të gjithë njerëzit që mund t'i tërheqim, punët konsullore do t'i transferojmë në Zagreb dhe Podgoricë", deklaroi Konakoviqi në konferencën për gazetarë në Sarajevë.
Ministri sqaroi se nuk ka kompetencë t'i tërheqë ambasadorin dhe konsullin, sepse ata emërohen nga Kryesia e shtetit. Detyrat e personelit të tërhequr do të kryhen nga të punësuarit në ambasadat e BeH-së në Mal të Zi dhe Kroaci.
Paralelisht, Konakoviqi njoftoi një ofensivë diplomatike me nota dhe letra drejtuar adresave ndërkombëtare. "Ne kemi bërë sot disa drafte, po dërgojmë letra me radhë, me mesazhe të ndryshme. Së pari e pyes publikisht BE-në: A i respektoni vërtet parimet tuaja? A e mbroni atë që na keni detyruar ta ndjekim? Kjo është çështje parësore e politikës së sigurisë", tha ai. Sipas Konakoviqit, Bashkimi Evropian "duhet të tregojë nëse do ta tolerojë atë që kurrë nuk do të tolerohej brenda Unionit", ndërsa letra për vendet anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike (OKI) "do ta ketë specifikën e vet". Ai paralajmëroi edhe shumë biseda telefonike dhe mundësisht disa vizita, duke e cilësuar këtë si çështje parësore për Bosnjë e Hercegovinën.
Ministri e quajti ditën "depresive dhe të vështirë" dhe si shkak të mbajtjes së konferencës për gazetarë përmendi "varrimin e kriminelit të luftës dhe sjelljen e pushtetit në Serbi, para së gjithash të Aleksandar Vuçiqit dhe bashkëpunëtorëve të tij".
Sipas rrëfimit të tij, krimineli i luftës "u prit me nderimet më të larta ushtarake dhe shtetërore", avioni i Qeverisë së Serbisë shkoi ta merrte trupin e tij në Hagë dhe atë e pritën rreshtime ushtarësh. "Pamë që në komemoracion dhe në varrim u shfaq një numër i madh zyrtarësh të Serbisë, nuk ishte Vuçiqi sepse u soll si frikacak, duke pasur frikë ndoshta nga sanksionet personale", tha Konakoviqi.
Kulmi i lartësimit të një personi të gjykuar për krime lufte, sipas tij, ndodhi mbrëmjen e kaluar në ndeshjen mes Cërvena Zvezdës dhe Partizanit, me mesazhin "Drejt Potoçarëve", çka ai e cilësoi si "alarmi i fundit".
Konakoviqi vlerësoi se Vuçiqi po e kthen Serbinë në vitet '90, por se gjendja në BeH nuk është si më 1990. Ai shtoi gjithashtu se Mlladiqi kishte qenë në listën e pagave të Serbisë pasi kreu gjenocidin në Srebrenicë. "Ajo që shohim sot në Serbi nuk pritej kur nënshkruhej Dejtoni, që të shohim sërish glorifikim të kriminelëve të luftës", theksoi ai.
Në përfundim të daljes së tij publike, ministri boshnjak paralajmëroi punë parandaluese: "Nuk do t'i lejojmë askujt të bëjë më atë që bënë kriminelët. Nuk do të them se për luftë duhen dy palë. Për luftë duhet një Serbi e tillë siç e shohim tani. Dhe ne jemi të vetëdijshëm për këtë dhe prandaj do të punojmë në parandalimin e disa situatave konfliktuale."
Nga Beogradi nuk ka ende një reagim publik ndaj njoftimit, as nga Bashkimi Evropian.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Besfort Lamallari, ka dhënë dorëheqjen dhe në krye të dikasterit është emëruar Ervin Demo. Është dorëheqja e dytë e një ministri brenda një kohe të shkurtër, pas largimit të ministres së Shëndetësisë, Evis Sala.

