Pas javësh përpjekjesh për të rikthyer kontrollin mbi anijen robotike LINK, NASA hoqi dorë nga kapja e observatorit Swift. Pa një ndërhyrje që t'i ngrejë orbitën, teleskopi që prej vitit 2004 gjuan shpërthimet më energjike në univers do të bjerë drejt shkatërrimit në shtresat e dendura të atmosferës.

Një anije robotike duhej ta kapte me krahë mekanikë dhe ta shtynte lart, në një orbitë të sigurt. Në vend të kësaj, teleskopi hapësinor Swift i agjencisë amerikane NASA po lihet të bjerë ngadalë drejt Tokës. Të mërkurën, NASA anuloi zyrtarisht operacionin e shpëtimit, pasi anija LINK pësoi defekte në sistemin e kontrollit të pozicionit.
Swift është në funksion që nga viti 2004 dhe është i specializuar për studimin e shpërthimeve të rrezatimit gama (GRB), shpërthimet elektromagnetike më energjike të njohura në hapësirë. Misioni i tij fillestar ishte parashikuar të zgjaste vetëm dy vjet. Më shumë se dy dekada më vonë, ai ende vazhdon kërkimet.
Fundi erdhi më shpejt sesa pritej. Disa modele tregonin se observatori mund të qëndronte në orbitë deri në vitet 2030, por aktiviteti i shtuar diellor gjatë vitit 2024 i ndryshoi këto projeksione. Energjia nga Dielli i nxehu dhe i zgjeroi shtresat e sipërme të atmosferës së Tokës, duke rritur rezistencën ndaj satelitit dhe duke përshpejtuar zbritjen e tij. Swift nuk ka një sistem shtytës që t'i ngrejë ndjeshëm orbitën: me çdo rrotullim rreth Tokës humbet një sasi të vogël energjie dhe, gradualisht, lartësi.
Përballë kësaj rënieje të shpejtë, NASA vendosi një manovër ambicioze. Plani ishte që anija robotike LINK, e kompanisë "Katalist spejs", ta arrinte Swift-in, ta kapte me krahë mekanikë dhe, me shtytësit e vet, ta ngrinte observatorin në një orbitë më të sigurt, ku ai të mund të vazhdonte punën. Robert Lsamontanj nga startapi "Katalist spejs", i cili bashkoi forcat me NASA-n për ta shpëtuar Swift-in, e cilësoi misionin "historik".
LINK u lëshua në hapësirë më 3 korrik. Shumë shpejt nisën problemet: anija pësoi defekte në sistemin e kontrollit të pozicionit, ai që mban orientimin dhe stabilitetin e duhur në hapësirë. Inxhinierët punuan me javë të tëra për të rivendosur kontrollin, pa sukses.
Administratori i NASA-s, Xhared Ajzakman, shpjegoi në një deklaratë se vendimi për anulim u mor pikërisht për shkak të problemeve me sistemin e kontrollit të anijes. "Ky nuk është rezultati për të cilin synonim, por kjo nuk e ndryshon arsyen pse ia vlente të provohej ky mision. Ekipi reagoi me shpejtësi të jashtëzakonshme për t'i dhënë Swift-it mundësinë të vazhdojë me kërkimet shkencore, duke përparuar njëkohësisht aftësitë që Amerikës do t'i duhen për servisimin e satelitëve në të ardhmen. Do të mësojmë gjithçka që mundemi nga përpjekja e takimit të LINK-ut në orbitë dhe do t'i zbatojmë ato njohuri në misionet që vijnë", tha Ajzakman.
Edhe pse nuk do ta kapë Swift-in, LINK do të vazhdojë t'i afrohet observatorit për të kryer demonstrime të takimit në orbitë, të navigimit dhe të operacioneve në afërsi të menjëhershme. NASA shpreson të mbledhë prej kësaj përpjekjeje të dhëna të përdorshme në misione të ardhshme për riparimin, zhvendosjen ose zgjatjen e jetës së satelitëve në orbitë.
Për vetë Swift-in, fundi është i njëhershëm. Pa një ndërhyrje që t'i ngrejë orbitën, ai do të vazhdojë të humbasë lartësi derisa të hyjë në shtresat më të dendura të atmosferës, ku pjesa më e madhe e observatorit do të shkatërrohet nga nxehtësia intensive dhe forcat aerodinamike. Vendi i saktë dhe momenti i rihyrjes mbeten të papërcaktuara, ndërsa parashikimet për afatin ndryshojnë: vlerësimet flisnin se rihyrja mund të ndodhte para fundit të vitit 2026, ndërsa NASA tashmë llogarit se Swift ka gjasa të bjerë në atmosferë para fundit të këtij viti.
Një autobus turistik holandez me 45 pasagjerë u përplas me barrierën mbrojtëse në rrugën Zernez-Susch, doli nga rruga dhe përfundoi i përmbysur. Policia Kantonale e Graubündenit e ka cilësuar rastin si vetaksident, ndërsa shkaqet mbeten në hetim.

