Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë del me një sqarim zyrtar mbi grindjen publike për pagat e magjistratëve: çështja është zgjidhur me vendimin nr. 15 të 17 shkurtit 2026 dhe autoritetet përgjegjëse e kanë detyrim ligjor ta zbatojnë.

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka vendosur të flasë publikisht mbi debatin për pagat e magjistratëve, me një mesazh të shkurtër dhe të prerë: çështja tashmë është vendosur dhe vendimi duhet zbatuar.
Në sqarimin zyrtar, Gjykata rikujton se për pagat e magjistratëve është shprehur me vendimin nr. 15, datë 17 shkurt 2026, përmes të cilit ka përcaktuar standardin kushtetues të zbatueshëm dhe, njëkohësisht, detyrimet që rrjedhin prej tij për autoritetet përgjegjëse.
"Në lidhje me diskutimet publike për çështjen e pagave të magjistratëve, Gjykata Kushtetuese vlerëson të nevojshme të sqarojë se për këtë çështje është shprehur tashmë me vendimin nr. 15, datë 17.02.2026", thekson Gjykata në qëndrimin e saj.
Një pikë tjetër që Kushtetuesja e nënvizon është mënyra si duhet lexuar vendimi. Sipas saj, arsyetimi dhe dispozitivi përbëjnë bashkërisht qëndrimin zyrtar të Gjykatës për çështjen e shqyrtuar dhe, për rrjedhojë, "ato duhet të lexohen e të zbatohen në tërësinë e tyre, në përputhje me parimet kushtetuese të përcaktuara në të".
Gjykata ripohon më tej se vendimet e saj janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim. Respektimi dhe zbatimi i tyre, sipas sqarimit, "përbën një kërkesë të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues dhe është i lidhur ngushtësisht me parimin e shtetit të së drejtës dhe të sigurisë juridike".
Në fund, Kushtetuesja parandalon një argument që mund të përdorej kundër vendimit të saj: praktika e brendshme financiare e institucionit nuk mund të ngrihet në kriter interpretues. "Mënyra e përllogaritjes dhe e ekzekutimit të pagave në administrimin e brendshëm të saj, në varësi të fondeve buxhetore në dispozicion, nuk mund të interpretohet si përcaktuese për efektet juridike të vendimit nr. 15, datë 17.02.2026 dhe as për detyrimet që ky vendim sjell për autoritetet përgjegjëse për zbatimin e tij", shprehet Gjykata.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Besfort Lamallari, ka dhënë dorëheqjen dhe në krye të dikasterit është emëruar Ervin Demo. Është dorëheqja e dytë e një ministri brenda një kohe të shkurtër, pas largimit të ministres së Shëndetësisë, Evis Sala.

