Ish-ambasadori i SHBA-së në Sarajevë, Michael Murphy, iu përgjigj me ironi një thirrjeje publike drejtuar administratës Trump për të njohur pavarësinë e Republika Srpskës, duke sugjeruar se Presidenca e Bosnjës mund të përgjigjej me një propozim për njohjen e Kosovës.

Ilustrim i krijuar me inteligjencë artificiale. Nuk është fotografi e ngjarjes. Si e përdorim AI-në
Një thirrje publike drejtuar administratës së Donald Trumpit për ta njohur pavarësinë e Republika Srpskës ka nxjerrë në skenë një kundërpërgjigje të papritur: ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Bosnjë dhe Hercegovinë, Michael Murphy, ka përmendur mundësinë që Presidenca e Bosnjës dhe Hercegovinës të propozojë njohjen e Kosovës.
Murphy reagoi ndaj një shkrimi të autorit izraelit Jose Lev Alvarez, të publikuar në "Washington Examiner" me titullin "Lëreni Bosnjën të shpërbëhet: Pse Donald Trump duhet ta njohë Republikën Serbe të pavarur". Në të argumentohet se SHBA-ja duhet ta njohë pavarësinë e entitetit serb në Bosnjë, me pretendimin se serbët janë "të bllokuar në një shtet artificial".
Ish-diplomati amerikan e cilësoi artikullin si jashtëzakonisht ekstrem, si një prej analizave më ekstreme të publikuara së fundmi për Bosnjë dhe Hercegovinën, dhe pretendoi se ai hyn në kuadër të përpjekjeve për të ndryshuar narrativën rreth vendit në Uashington.
Duke i komentuar me ironi idetë e paraqitura në shkrim, Murphy nënvizoi se logjika e tyre mund të kthehej edhe në drejtim të kundërt. "Disa anëtarë të Presidencës së B&H ndoshta mund të përpiqen të zbatojnë disa nga idetë e tij duke propozuar një vendim që B&H të njohë Kosovën", deklaroi ai. Në të njëjtën linjë, ai përmendi edhe mundësinë që Bosnja dhe Hercegovina t'u ofrojë Shteteve të Bashkuara krijimin e një baze ushtarake, me Tuzlën ose Brçkon si lokacione të mundshme.
Bosnja dhe Hercegovina aktualisht nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Për një vendim të tillë kërkohet pajtim brenda strukturave shtetërore të vendit, ku përfaqësuesit politikë serbë kanë kundërshtuar vazhdimisht njohjen, çka e ka mbajtur çështjen të bllokuar prej vitesh.
Shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të kenë dy zëra në Kuvendin e Serbisë. Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, i uroi dy deputetët e zgjedhur dhe u kërkoi të mos e prishin unitetin.

