Një fotografi e bërë në vendngjarjen ku ndërroi jetë 30-vjeçari rus Mihail Nikolaeviç Shabunjin përfundoi në një kanal komunikimi. Për këtë, sipas ministrit të Punëve të Brendshme Danillo Sharanoviq, janë arrestuar dy policë, njëri nga Herceg Novi dhe tjetri nga Kotorri.

Një fotografi e bërë brenda vendngjarjes, ku shihej trupi i një njeriu, u shpërnda në një kanal komunikimi dhe sot ka çuar pas hekurave dy pjesëtarë të policisë malazeze. Bëhet fjalë për N.D., zyrtar policor i Departamentit të Sigurisë në Herceg Novi, dhe N.V., zyrtar policor i Departamentit të Sigurisë në Kotor, të cilët dyshohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe për mbledhje e përdorim të paautorizuar të të dhënave personale, njoftoi ministri i Punëve të Brendshme i Malit të Zi, Danillo Sharanoviq.
Rasti nisi pasi dolën informacione se në një kanal komunikimi ishin publikuar detaje dhe fotografi nga vendi i ngjarjes në lagjen Topla të Herceg Novit, ku më parë ishte kryer këqyrja pas vetëvrasjes së shtetasit të Federatës Ruse, Mihail Nikolaeviç Shabunjin (30).
Sipas Sharanoviqit, zyrtarë të Departamentit për Kontroll të Brendshëm të Policisë, bashkë me kolegët e departamenteve të sigurisë në Herceg Novi dhe Nikshiq, në bashkëpunim me prokurorin e shtetit të Prokurorisë Themelore të Shtetit në Herceg Novi, ndërmorën një sërë masash dhe veprimesh për të vërtetuar të gjitha faktet dhe rrethanat. "Janë zhvilluar aktivitete intensive që kanë rezultuar me heqjen e lirisë së dy zyrtarëve policorë për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale që u vihen në barrë", tha ministri në një deklaratë dërguar mediave.
Sipas dyshimeve në të cilat ka dalë policia gjatë veprimeve, N.D. dyshohet se e bëri fotografinë nga vendi i ngjarjes në të cilën duket trupi, dhe më pas ia përcolli N.V.-së.
"Me urdhër të prokurorit të shtetit në Prokurorinë Themelore të Shtetit në Herceg Novi, iu hoq liria N.D.-së, zyrtar policor i Departamentit të Sigurisë Herceg Novi, dhe N.V.-së, zyrtar policor i Departamentit të Sigurisë Kotor, për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare në bashkim me formën më të rëndë të veprës penale mbledhje dhe përdorim i paautorizuar i të dhënave personale", deklaroi Sharanoviq.
Në kuadër të hetimit, nga dy zyrtarët policorë u mblodhën informacione, ndërsa mbi bazën e urdhrave të siguruar dhe në përputhje me ligjin u bastisën lokacione në zonën e Herceg Novit, Kotorrit dhe Nikshiqit. Pas masave të zbatuara dhe provave materiale të mbledhura, N.D. dhe N.V. u arrestuan dhe u dërguan te prokurori i shtetit, i cili u caktoi ndalimin. Më pas u nxorën para gjyqtarit të hetimit të gjykatës kompetente dhe u morën në pyetje, ndërsa vendimi i gjyqtarit pritet.
"Departamenti për Kontroll të Brendshëm të Policisë vazhdon punën në këtë rast në koordinim me prokurorinë kompetente të shtetit, ndërsa qëllimi është ndriçimi i plotë i të gjitha rrethanave dhe eventualisht konstatimi i përgjegjësisë së personave të tjerë", theksoi Sharanoviq.
Ministri paralajmëroi se sistemi i sigurisë do të vazhdojë të verifikojë informacionet që tregojnë për kontakte të mundshme të zyrtarëve policorë me pjesëtarë të strukturave kriminale, si dhe keqpërdorime të mundshme të pozitës dhe të informacioneve zyrtare. "Drejtoria e Policisë do të ndërmarrë me vendosmëri dhe pa përjashtim të gjitha masat dhe veprimet e parashikuara me ligj për zbulimin dhe procesimin e individëve që me veprimet e tyre cenojnë integritetin e shërbimit policor, rrezikojnë sistemin e sigurisë ose veprojnë në interes të strukturave të organizuara kriminale", tha ai, duke shtuar se opinioni publik, në përputhje me interesin e hetimit dhe kufizimet ligjore, do të njoftohet me kohë për rrjedhën dhe rezultatet e mëtejshme të procedurës.
Vetëvrasja e Shabunjinit ishte epilogu i një prej ngjarjeve më të rënda të vitit në Mal të Zi. Më 31 gusht, në poligonin e qitjes "Çeshka zbrojovka" në Danillovgrad, ai vrau Nemanja Kaporin (20), Petar Gllobareviqin (24) dhe Momir Radonjiqin (67). Pas një kërkimi disaorësh, nga policia u njoftua se Shabunjini kishte kryer vetëvrasje.
Ky nuk është rasti i vetëm i fotografive të rrjedhura nga radhët e policisë që po hetohet në Mal të Zi: më herët ishte arrestuar një zyrtar i policisë së Herceg Novit, i dyshuar se i kishte dërguar fotografi Millosh Medenicës, ndërsa kërkoheshin edhe disa persona të tjerë.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Besfort Lamallari, ka dhënë dorëheqjen dhe në krye të dikasterit është emëruar Ervin Demo. Është dorëheqja e dytë e një ministri brenda një kohe të shkurtër, pas largimit të ministres së Shëndetësisë, Evis Sala.

