Prishtina pret nesër protestën e pestë radhazi për Arlinda Zekajn, gruan e vrarë me sëpatë në Pejë. Organizatorët fajësojnë shtetin se dështoi ta mbrojë dhe kërkojnë dorëheqjen e Donika Gërvallës dhe Xhelal Sveçlës.

Për të pestën ditë radhazi, protestuesit do të mblidhen nesër në Prishtinë për të kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn. Tubimi është paralajmëruar të nisë në orën 17:00, në ditën kur mbushet saktësisht një javë nga vrasja e saj me sëpatë.
Për vrasjen dyshohet ish-kunati i saj. Rasti ka ngjallur zemërim të madh sepse, siç raportohet, organet e rendit në Pejë ishin tashmë në dijeni të situatës së rënduar me dhunë në familjen e saj.
Pikërisht mbi këtë pikë ngulin këmbë organizatorët e protestës. Ata fajësojnë shtetin se dështoi ta mbrojë Arlindën dhe kërkojnë dorëheqjen e Donika Gërvallës dhe Xhelal Sveçlës.
Kërkesa e tyre vjen pas suspendimit të zinxhirit të përfshirë në trajtimin e rastit, si në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, ashtu edhe në Prokurorinë Themelore të Pejës. Pavarësisht këtij hapi, organizatorët kanë vendosur të vazhdojnë me protestat dhe me kërkesën për dorëheqje.
Një grua në Pejë i tha policisë se bashkëshorti e kishte dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht në vazhdimësi, ndërsa vjehrri e kishte kanosur. Bastisja në shtëpinë e të dyshuarve nxori në dritë një pistoletë dhe qindra fishekë.

