Ndërsa deputetët nisnin seancën e parë plenare të sesionit të ri parlamentar, jashtë Kuvendit qytetarët kërkonin arrestimin e kryeministrit Edi Rama dhe të Belinda Ballukut. Policia shoqëroi dy protestues.

Në zonën mes Bulevardit dhe Kuvendit, në qendër të Tiranës, qytetarët janë shpërndarë këtë të martë në disa pika, duke vazhduar protestat kundër qeverisë dhe klasës politike. Mes kërkesave të tyre është edhe arrestimi i kryeministrit Edi Rama dhe i Belinda Ballukut, me thirrjen drejtuar SPAK-ut: "Arrestoni Ballukun dhe Ramën!".
Tubimi zhvillohet në ditën e 101-të të asaj që protestuesit e quajnë rezistencë qytetare. Prania e forcave të policisë ka qenë e shtuar në pikat ku janë grumbulluar qytetarët.
Gjatë protestës, policia ka shoqëruar dy protestues. Rrethanat e plota që çuan në shoqërimin e tyre nuk janë bërë ende të ditura.
Në të njëjtën kohë, brenda godinës së Kuvendit ka nisur seanca e parë plenare e sesionit të ri parlamentar. Ndërsa deputetët vijonin punimet në sallë, jashtë saj protesta vazhdonte në disa pika të qendrës së kryeqytetit.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Besfort Lamallari, ka dhënë dorëheqjen dhe në krye të dikasterit është emëruar Ervin Demo. Është dorëheqja e dytë e një ministri brenda një kohe të shkurtër, pas largimit të ministres së Shëndetësisë, Evis Sala.

