Komisioni Evropian reagoi me një deklaratë të prerë pas vdekjes së Ratko Mlladiçit, i dënuar me burgim të përjetshëm për genocid në Srebrenicë: glorifikimi i kriminelëve të luftës dhe mohimi i genocidit, thotë Brukseli, nuk kanë vend as në BE, as në vendet kandidate.

Vdekja e Ratko Mlladiçit, kriminel i dënuar i luftës, ka nxjerrë Brukselin me një mesazh që nuk lë hapësirë interpretimi: kushdo që e lavdëron, del jashtë vlerave evropiane.
"Çdo glorifikim i kriminelëve të luftës, mohimi i genocidit dhe revizionizmi historik janë në kundërshtim me vlerat më themelore evropiane dhe nuk kanë vend as në BE, as në vendet kandidate për anëtarësim në BE. Pajtimi dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në Ballkanin Perëndimor mbeten çelësi për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët", shkroi zëdhënësi i Komisionit Evropian, Kristijan Vigand, në një deklaratë të publikuar në faqen e Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme (EEAS).
Në të njëjtën deklaratë, Vigand kujton se Mlladiçi ishte kriminel i dënuar i luftës, që kreu krime lufte, genocid dhe krime kundër njerëzimit. Ai vdiq duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm për krime kundër njerëzimit dhe për genocidin në Srebrenicë. Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë e dënoi më 2017 me burgim të përjetshëm, duke i përshkruar krimet e tij si ndër krimet më të rënda të njohura për njerëzimin. Rrethanat dhe data e vdekjes së tij nuk janë bërë të ditura.
Deklarata e vendos vdekjen e Mlladiçit në kontekstin e trashëgimisë së luftës. "Konfliktet e armatosura në Ballkanin Perëndimor gjatë viteve '90 ishin ndër momentet më të errëta të historisë së re evropiane. Shprehim solidaritet me të gjitha viktimat, të mbijetuarat dhe familjet e tyre, që pësuan krime lufte në vendet e ish-Jugosllavisë", thuhet në tekstin e nënshkruar nga zëdhënësi i Komisionit Evropian.
Vigand theksoi po ashtu se Bashkimi Evropian është partner i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe i mbështet përpjekjet e tyre për të nxitur pajtimin dhe stabilitetin regjional, si edhe për të gjetur e zbatuar zgjidhje të qëndrueshme dhe përfshirëse për mosmarrëveshjet regjionale dhe dypalëshe dhe për çështjet që burojnë nga trashëgimia e së kaluarës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Deklaratën e shpërndau në rrjetin X ambasadori i Bashkimit Evropian në Beograd, Andreas fon Bekerat.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Besfort Lamallari, ka dhënë dorëheqjen dhe në krye të dikasterit është emëruar Ervin Demo. Është dorëheqja e dytë e një ministri brenda një kohe të shkurtër, pas largimit të ministres së Shëndetësisë, Evis Sala.

