Policia e Malit të Zi kaloi tërë natën dhe ditën në kërkim të Ljubo Miloviqit, i dyshuar si anëtar i një grupi kriminal të organizuar me rrezikshmëri të lartë. Nga aksioni në Grahovë dolën tre vetura luksoze të sekuestruara dhe dy objekte të vulosura.

Një natë e tërë kërkimesh dhe një ditë e plotë aksioni në zonën e Grahovës në Malin e Zi kanë përfunduar me një hotel e një restorant të vulosur dhe me tre vetura luksoze të hequra nga qarkullimi. Objektivi i operacionit, sipas Drejtorisë së Policisë së Malit të Zi, ishte Ljubo Miloviqi, person i kërkuar ndërkombëtarisht dhe i dyshuar si anëtar i një grupi kriminal të organizuar me rrezikshmëri të lartë.
Në terren u angazhuan pesë njësi të ndryshme policore. "Zyrtarët e Drejtorisë së Policisë, të veprimeve të ndryshme specialistike, Departamentit Special Policor, Njësisë Speciale të Policisë, Njësisë së Veçantë të Policisë, Sektorit për Luftimin e Krimit dhe Qendrës Rajonale të Sigurisë 'Perëndim', gjatë tërë natës dhe gjatë ditës së sotme kanë ndërmarrë aktivitete intensive dhe konkrete në zonën e Grahovës, të drejtuara drejt gjetjes dhe lokalizimit të personit të kërkuar ndërkombëtarisht, anëtarit të një GKO-je me rrezikshmëri të lartë, Ljubo Miloviqit", thuhet në njoftimin e policisë.
Në kuadër të aksionit u krye një bastisje dhe kontroll i objekteve të restorantit dhe hotelit "Grahovac 1858". "Gjatë zbatimit të aktiviteteve janë sekuestruar tre vetura të klasit të lartë, të cilat do të jenë objekt i kontrolleve dhe ekspertizave të mëtejshme", njoftoi policia.
Paralelisht, zyrtarët e Administratës Tatimore vulosën hotelin dhe restorantin "Grahovac 1858", pasi kontrollet e tyre kishin konstatuar parregullsi në veprimtarinë e objekteve.
A u gjet apo jo Miloviqi, policia nuk e ka bërë të ditur. Ajo që u konfirmua është se operacioni vazhdon: "Drejtoria e Policisë vazhdon aktivitetet me intensitet të shtuar, me angazhimin e të gjitha kapaciteteve dhe burimeve operative në dispozicion të Policisë, me kontrollimin e lokacioneve konkrete, me qëllim të qartë të lokalizimit dhe gjetjes së personave që kërkohen në nivel nacional dhe ndërkombëtar dhe vënies së tyre para drejtësisë, si dhe identifikimit dhe procedimit të të gjithë personave që ofrojnë ndihmë në fshehjen, lëvizjen dhe qëndrimin e tyre", thekson njoftimi.
Miloviqi mbetet i dyshuar dhe nuk është shpallur fajtor nga asnjë gjykatë.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Besfort Lamallari, ka dhënë dorëheqjen dhe në krye të dikasterit është emëruar Ervin Demo. Është dorëheqja e dytë e një ministri brenda një kohe të shkurtër, pas largimit të ministres së Shëndetësisë, Evis Sala.

