Fotografi të dokumenteve të OSBE-së, detaje nga takime të mbyllura dhe mesazhe pothuajse të përditshme drejt një agjenti të shërbimit serb. Arsyetimi i aktgjykimit ndaj ish-zyrtares Jelena Gjukanoviq tregon si funksiononte, sipas gjykatës, kanali i informacionit drejt BIA-s.

Fotografi të dokumenteve të brendshme të OSBE-së, hollësi nga takime të mbyllura dhe raportime pothuajse të përditshme: kështu e përshkruan Gjykata Themelore në Prishtinë veprimtarinë e Jelena Gjukanoviqit, ish-zyrtares së Misionit të OSBE-së në Kosovë, të cilën e dënoi me 6 vite burgim për spiunazh në favor të BIA-s serbe, Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë.
Dënimi u shqiptua më 27 prill 2026, ndërsa arsyetimi i aktgjykimit, një vendim i shkallës së parë, u bë publik në shtator 2026. Në të, gjykata shpjegon hap pas hapi pse arriti në përfundimin se është provuar përtej çdo dyshimi që e akuzuara ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohej.
Në qendër të rastit qëndron Aleksandër Vllajiq, të cilin gjykata e cilëson zyrtar dhe agjent të BIA-s. Vllajiq u dënua nga e njëjta gjykatë në vitin 2025 me pesë vite burgim për spiunazh për shërbimin serb. Sipas aktgjykimit, Gjukanoviq kishte me të raporte jashtëzakonisht të mira dhe e informonte vazhdimisht, pothuajse për çdo gjë.
"Nga provat materiale, kryesisht ekzaminimi i telefonave, rezulton se e akuzuara në baza ditore ka përcjellë informacione të ndryshme te zyrtari i BIA-s, Aleksandër Vllajiq", thuhet në vendim.
Çfarë përmbanin këto informacione? Sipas gjykatës, ato kishin të bënin pothuajse tërësisht me institucionet e Kosovës dhe punën e tyre, me vetë OSBE-në dhe me organet e sigurisë në Kosovë. Gjukanoviq, thuhet në vendim, i dërgonte Vllajiqit fotografi të dokumenteve të plota të OSBE-së, me diskutime për të drejtat gjuhësore, situatën e sigurisë, Asociacionin e komunave me shumicë serbe, njohjen e diplomave, si dhe për zhvillimet në veri në kohën kur KQZ-ja përpiqej të zëvendësonte anëtarët serbë. Gjykata shton se ajo e njoftonte Vllajiqin edhe për takimet e mbyllura të shefit të Misionit të OSBE-së me organizatat joqeveritare lokale serbe.
Një nga komunikimet e cituara në aktgjykim daton nga nëntori i vitit 2022. Në të, Gjukanoviq i shkruante Vllajiqit për një incident të pretenduar ndaj një qytetari serb, të identifikuar me inicialet M. M., i cili, sipas mesazhit, ishte ndaluar rreth orës 09:30 afër Soçanicës nga një njësi speciale e Policisë së Kosovës. Në rrëfimin e saj, policët i kishin bërtitur në shqip, i kishin kërkuar dokumentet dhe, kur ai u kishte treguar dokumentet e Serbisë, njëri prej tyre e kishte goditur në stomak. Mesazhi përmendte edhe se policët mbanin kamuflazhe dhe maska dhe ishin të armatosur me armë me tytë të gjatë, se M. M. kishte qëndruar në spital nga ora 13:00 deri në 14:00 dhe se kishte paralajmëruar se do ta raportonte rastin në Inspektoratin Policor të Kosovës. Sipas mesazhit, ai kishte njoftuar ambasadat dhe Brukselin, ndërsa deklarata e tij ishte publikuar rreth orës 14:00 në Kontakt Plus Radio. Gjykata e trajton këtë incident si të pretenduar.
Më vonë atë ditë, në orën 16:53, Gjukanoviq e vazhdoi mesazhin me një këshillë: rasti duhej t'u përcillej fillimisht ambasadave dhe Brukselit, me një deklaratë që u dërgohej së pari ambasadorëve dhe vetëm pastaj mediave lokale dhe popullatës vendase, sepse, sipas saj, kështu ambasadorët do të kishin më shumë kohë për të vendosur si të veprojnë. Përgjigjja e Vllajiqit ishte e shkurtër: "Faleminderit".
Për gjykatën, pozita që Gjukanoviq mbante në OSBE e bën të qartë se informacionet e dërguara nuk ishin të rastësishme. Aktgjykimi thotë se ajo e informonte Vllajiqin në hollësi për gjithçka brenda misionit, për takimet që mbante ose ku merrte pjesë dhe për deklaratat e secilit pjesëmarrës, duke i dërguar edhe dokumente të fotografuara.
Gjykata vlerëson se është provuar qartë që destinacioni përfundimtar i të gjitha këtyre informacioneve ishte BIA serbe, fillimisht përmes Vllajiqit. Sipas vendimit, Gjukanoviq, duke keqpërdorur pozitën e saj, me dashje dhe me vetëdije të plotë ndërmori veprime aktive dhe të përsëritura për të ndihmuar veprimtarinë e një shërbimi të huaj inteligjence. Ajo e dinte qartë, thotë gjykata, se ku po i dërgonte informacionet dhe se dhënia e tyre një shteti tjetër ishte e ndaluar, në kundërshtim edhe me rregulloret e brendshme të misionit dhe me legjislacionin.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

