Dyqind shtetas të Shqipërisë dhe pesëdhjetë të Kosovës u dënuan vitin e kaluar në Zvicër jo vetëm me burg, por edhe me largim nga vendi. Vendimin e merr vetë gjyqtari penal, dhe as leja C nuk është garanci për të qëndruar.

Dyqind e pesëdhjetë shtetas me pasaportë shqiptare ose kosovare u urdhëruan nga gjykatat zvicerane të largohen nga vendi gjatë vitit 2025, si pjesë e dënimit për veprat penale që kishin kryer. Sipas statistikave zyrtare të publikuara nga portali Albinfo.ch, 200 prej tyre janë shtetas të Shqipërisë dhe 50 të Kosovës.
Dëbimi në Zvicër nuk është një procedurë administrative që pason dënimin. Që nga tetori i vitit 2016, kur u miratua iniciativa popullore për dëbimin e të huajve që kryejnë vepra të rënda, ai është pjesë e Kodit Penal zviceran. Kjo do të thotë se për largimin nuk vendosin autoritetet e migracionit, por gjyqtari penal, i cili e shqipton dëbimin në të njëjtin aktgjykim me dënimin.
Për një listë veprash të rënda, gjykata nuk ka hapësirë zgjedhjeje. Vrasja, grabitja, trafiku i drogës, vjedhja me thyerje, si dhe keqpërdorimi i ndihmës sociale ose i sigurimeve shoqërore sjellin detyrimisht dëbim për një periudhë nga 5 deri në 15 vjet. Për ata që i përsërisin këto shkelje, ndalimi mund të shkojë deri në 20 vjet ose të jetë i përjetshëm.
Ligji lë vetëm një derë të ngushtë. Në raste të jashtëzakonshme, gjykata mund të heqë dorë nga dëbimi, kur ai do ta vendoste personin në një gjendje personale shumë të rëndë dhe kur interesi i tij për të qëndruar në Zvicër peshon më shumë se interesi publik. Në këtë vlerësim, gjyqtari shikon sidomos sa kohë ka jetuar personi në vend, familjen dhe fëmijët e tij, si dhe shkallën e integrimit.
Për veprat e tjera vlen rregulli i dëbimit jo të detyrueshëm, i parashikuar në nenin 66a bis të Kodit Penal: gjykata mund ta shqiptojë largimin, por nuk është e detyruar ta bëjë.
Shumica e të dënuarve të përfshirë në shifrat e vitit të kaluar, veçanërisht shtetasit e Shqipërisë, nuk kishin leje qëndrimi B ose C në Zvicër. Megjithatë, as leja C nuk mbron automatikisht nga dëbimi, dhe edhe persona që jetojnë në vend prej dekadash mund të largohen me vendim gjykate.
Pikërisht për këtë arsye, situata personale dhe familjare e të akuzuarit duhet paraqitur që në fillim të procedurës penale, me argumente të qarta dhe të dokumentuara. Shpesh, janë këto elemente që vendosin nëse një person mbetet në Zvicër apo detyrohet ta braktisë atë.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

