Pas një muaji punë në terren te Kalludra dhe Jubuka, hetuesit nxjerrën eshtrat e 23 personave që dyshohet se u zhdukën me forcë gjatë luftës. Tani nis rruga e gjatë e identifikimit me ADN.

Tre varre masive, 23 mbetje mortore dhe një dyshim që ka mbetur i hapur për 27 vjet. Në fshatrat Kalludër dhe Jubukë të Zubin Potokut, procesi katërjavor i gërmimeve dhe zhvarrosjes u mbyll më 21 gusht 2026, me konfirmimin e pranisë së eshtrave të 23 personave — viktima që dyshohet se u zhdukën me forcë gjatë luftës në Kosovë.
Njoftimin e bëri Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur. Sipas Komisionit, në të tre lokacionet e konfirmuara të varreve masive në këtë zonë u vërtetua prania e mbetjeve mortore të gjithsej 23 personave. Procesi kishte nisur më 28 korrik 2026 në dy fshatrat e Zubin Potokut.
Çështja tashmë kalon në duart e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), i cili do të përcaktojë identitetin e viktimave përmes analizës së ADN-së. "Pas përfundimit të aktiviteteve në terren, procesi vazhdon me ekzaminimet mjekoligjore në IML dhe identifikimin përmes analizës së ADN-së, me qëllim të konfirmimit të identitetit të viktimave dhe për të pasuar me hapat e mëtejmë sipas procedurave përkatëse, përfshirë informimin zyrtar të familjeve", thanë nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Gjatë punës në terren u angazhuan ekipet e IML-së, Sektori i Policisë për Persona të Zhdukur, si dhe njësi të tjera të Policisë dhe të sigurisë.
Dyshohet se bëhet fjalë për të ashtuquajturit "23 intelektualët", të cilët sipas rrëfimit të familjarëve për KALLXO.com u zhdukën para 27 vitesh në këtë zonë. Konfirmimi zyrtar i identitetit do të varet nga rezultatet e ADN-së.
Në lidhje me rastin, tre persona — të identifikuar me inicialet J.R., M.J. dhe M.B. — po hetohen nën dyshimin për kryerjen e veprës penale "Krime lufte kundër popullsisë civile" dhe ndodhen në masën e paraburgimit. Ndaj tyre nuk ka ende vendim gjyqësor.
Gjetjet në Zubin Potok mbeten një pjesë e vogël e një plage shumë më të gjerë: aktualisht në Kosovë konsiderohen ende të zhdukur rreth 1.560 persona nga lufta e fundit. Së fundmi, Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) ka publikuar një raport preliminar sipas të cilit të paktën 13.227 njerëz u vranë, u zhdukën me dhunë ose vdiqën si pasojë e luftës në periudhën 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000. Publikimi i kësaj liste shënon fazën e parë të databazës institucionale të IKKL-së.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

