Prej së premtes zjarrfikësit belgë luftojnë me flakët në parkun natyror të Hautes Fagnes, ku era e fortë dhe një mini-tornado po e vështirësojnë betejën. Autoritetet e provincës së Liège e cilësojnë zjarrin më të rëndin në vend që nga viti 1911.

Në lindje të Belgjikës, në parkun natyror të Hautes Fagnes, zjarrfikësit po zhvillojnë prej së premtes një betejë të pandërprerë me flakët që deri tani kanë përfshirë 3.000 hektarë. Sipas autoriteteve të provincës së Liège, ku ndodh zjarri, bëhet fjalë për zjarrin më të rëndë në Belgjikë që nga viti 1911.
Gjatë natës nga e mërkura, 19 gusht, në të enjten, 20 gusht, ekipet u detyruan të ndërhynin sërish disa herë për të vënë nën kontroll rindezje të shumta të zjarrit, kryesisht në sektorin lindor, sipas autoriteteve lokale. Kushtet e terrenit e bënë punën jashtëzakonisht të rrezikshme. "Ndërhyrjet vazhduan gjatë gjithë natës, por në mënyrë të kufizuar, për shkak të rrezikshmërisë së terrenit: mungesë dukshmërie, pemë të rrëzuara pas stuhisë", njoftuan autoritetet e provincës së Liège. "Megjithatë, u desh të viheshin nën kontroll shumë rindezje zjarri, kryesisht në sektorin lindor", u shtua.
Era ka fryrë shumë fort në disa pika, ndërsa një mini-tornado shkatërroi pjesërisht të mërkurën në mbrëmje një shtëpi në rajon. Zjarri shpërtheu të premten, për një shkak ende të panjohur, në këtë park natyror pranë kufirit me Gjermaninë.
Aktualisht flakët janë rrethuar plotësisht dhe autoritetet shpresojnë ta mundin përfundimisht zjarrin, veçanërisht falë mjeteve ajrore. Nëse kushtet e motit e lejojnë, një helikopter i policisë federale belge do të ngrihej të enjten për të identifikuar zonat prioritare dhe për të orientuar ndërhyrjet ajrore, të cilat, sipas autoriteteve belge, janë "të pritura të rëndësishme sot nëse kushtet meteorologjike janë po aq të favorshme sa është paralajmëruar".
Të mërkurën në operacionet e hedhjes së ujit mbi zonat me rrezik më të lartë morën pjesë avionë zjarrfikës dhe helikopterë të ardhur nga Norvegjia, Gjermania, Suedia dhe Holanda. Mjetet e ardhura nga Gjermania nisin të enjten tërheqjen e tyre, por ky largim pritet të kompensohet me mjete belge, veçanërisht vullnetarë, sqaroi për Agjencinë France-Presse zëdhënësi i njësisë së krizës, Tony Hosmans.
Zjarrfikësit do të vazhdojnë edhe operacionet e heqjes së shtresës sipërfaqësore të tokës, të njohura si "étrépage", sidomos në sektorin juglindor, ku janë realizuar rreth 800 metra nga 2 kilometrat e planifikuar. Kjo teknikë synon heqjen e shtresës së sipërme të tokës për ta zhveshur atë dhe për të larguar lëndën e djegshme.
Puna e ekipeve vështirësohet nga vetë natyra e terrenit: një mozaik shqotash, tokash torfe dhe kalimesh të ngritura që lehtësojnë vizitat në këtë park natyror shumë të frekuentuar nga turistët. Torfa digjet në thellësi, duke favorizuar rindezjet e vazhdueshme të zjarrit.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

