Trupi i pajetë i gjetur në zonën e Stanićit pas zjarrit të 13 gushtit i përket një gruaje të lindur në vitin 1992, shtetase e Bosnjë-Hercegovinës. Ajo u zhduk pa gjurmë ndërsa përpiqej t'i shpëtonte flakëve.

Ekspertiza mjekoligjore dhe analiza e ADN-së kanë zbardhur identitetin e viktimës së zjarrit që përfshiu zonën e Omishit në Kroaci. Trupi i pajetë, i gjetur në vendin e quajtur Mala Luka në zonën e Stanićit pas zjarrit që shpërtheu më 13 gusht, i përket një gruaje të lindur në vitin 1992, shtetase e Bosnjë-Hercegovinës.
Mediat kroate kishin raportuar më herët se bëhet fjalë për Dragana Anteseviçin nga Kotor Varoshi në Bosnjë-Hercegovinë, e cila kishte ardhur në Kroaci për të punuar sezonin.
Sipas informacioneve të bëra publike deri tani, gjatë zjarrit ajo ndodhej në një automjet së bashku me dy persona të tjerë. Ndërsa përpiqeshin të largoheshin nga flakët që përparonin me shpejtësi, në një çast ajo u largua nga vozila dhe pas kësaj i humbi çdo gjurmë. Njëri prej personave që ndodheshin në automjet mbeti i plagosur rëndë.
Zjarri la pas një bilanc të rëndë njerëzor dhe material. Gjithsej 38 persona u lënduan, nga të cilët 10 u shtruan në spital për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. Flakët përfshinë një numër të madh shtëpish e objektesh të tjera, si dhe shumë automjete.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

