Vatra që nisi në fshatin Lufaj ka kapërcyer në territorin e Bashkisë Mat dhe po avancon drejt zonave të banuara, ndërsa terreni shkëmbor po e bën shuarjen të mundur kryesisht nga ajri.

Zjarri që shpërtheu në fshatin Lufaj vijon të mbetet problematik dhe tashmë ka kaluar në territorin e Bashkisë Mat, në zonën e njohur si “Qafa e Sharrit”. Perimetri i tij vlerësohet të arrijë rreth 5 deri në 6 kilometra.
Vatra shtrihet nga “Qafa e Sharrit” deri te Shpella e Valit, në një sipërfaqe pyjore të përbërë kryesisht nga dushqe dhe shkurre si dëllenjë, krifshë, shkozë e bimësi tjetër. Terreni i vështirë po favorizon përhapjen e flakëve dhe po e ndërlikon ndërhyrjen e forcave nga toka.
Pjesa më e madhe e zonës është shkëmbore, çka nuk lejon hapjen e korridoreve për të izoluar materialin djegës dhe për të krijuar breza mbrojtës. Për shkak të këtij terreni të thyer, izolimi dhe shuarja e plotë e flakëve konsiderohen të mundshme kryesisht përmes ndërhyrjes nga ajri.
Aktualisht flakët po avancojnë drejt fshatit Koder-Laç dhe lagjes Gjestila, në fshatin Bruç, pjesë e Njësisë Administrative Rukaj në Bashkinë Mat. Përhapja në këtë drejtim ka rritur shqetësimin për zonat e banuara.
Monitorimi i situatës vijon, ndërsa mbetet e nevojshme një ndërhyrje e specializuar nga ajri për të frenuar avancimin e zjarrit.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

