Flakët iu afruan banesave në fshatin Gojan i Madh të Pukës dhe autoritetet urdhëruan largimin e menjëhershëm të banorëve, ndërsa era e fortë e mban situatën kritike.

Zjarri që po përpin bimësinë rreth fshatit Gojan i Madh në Pukë u afrua aq shumë pranë shtëpive sa autoritetet urdhëruan pasditen e të enjtes evakuimin e menjëhershëm të banorëve. Flakët po kërcënojnë drejtpërdrejt banesat dhe situata në zonë mbetet kritike edhe për shkak të erës së fortë.
Për shuarjen e vatrës janë angazhuar dy helikopterë dhe dhjetëra efektivë të shërbimit zjarrfikës, që po punojnë në terren për të penguar përhapjen e flakëve drejt vendbanimit.
Sipas njoftimit të Bashkisë së Pukës, familjet që do të largohen do të strehohen në ambientet e përgatitura të Konviktit "Ali Bytyçi", ku janë marrë masa për strehim të sigurt, ushqim dhe shërbim mjekësor.
Gojan i Madh nuk është i vetmi front. Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se vatra aktive zjarri ka edhe në Dajt, Lufaj, Gjorm të Sipërm, Tunjë të Re dhe Rraja e Velës. Ndërkohë zonat e Gurë-Lurës dhe Qafë Helmesit vijojnë të mbahen nën monitorim, me një situatë të stabilizuar dhe pa rrezik për vendbanimet.
Në tërësi, në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 164 forca operacionale dhe 9 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura po mbështesin ndërhyrjen me 70 efektivë, një automjet zjarrfikës dhe tre helikopterë të Forcës Ajrore.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

