Vapa ekstreme dhe flakët po zbulojnë municion të pashpërthyer nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore. Në Francë, Gjermani, Belgjikë dhe Holandë janë regjistruar tashmë detonime gjatë shuarjes së zjarreve.

Zjarrfikësit në disa vende të Evropës Perëndimore po përballen këtë verë me një rrezik që askush nuk e priste nën këmbët e tyre: predha dhe municion i pashpërthyer nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, që nxehtësia ekstreme dhe flakët po i nxjerrin në sipërfaqe. Detonime janë regjistruar tashmë gjatë operacioneve të shuarjes së zjarreve në Francë, Gjermani, Belgjikë dhe Holandë.
Pranë Bordosë, zjarri zbuloi një depo municioni që besohet se daton nga Lufta e Dytë Botërore. Në provincën belge të Liezhit, guvernatori Hervé Jamar konfirmoi se në zonën e djegur janë dëgjuar "detonime sporadike", duke shtuar se shërbimet e emergjencës po përshtaten me rrethanat e reja të punës në terren, mbi municion që ndodhet nën tokë.
Zjarri i fuqishëm në Liezh përfshiu zonën e High Fens, e cila shtrihet edhe në territorin gjerman. Pikërisht aty, në fund të vitit 1944, u zhvillua Beteja e Ardeneve, një nga betejat më të mëdha të Luftës së Dytë Botërore, kur forcat gjermane nisën një ofensivë kundër trupave aleate dhe lanë pas një sasi të madhe pajisjesh ushtarake dhe mjetesh vrasëse.
Zjarret nuk janë e vetmja mënyrë se si po rishfaqet e kaluara. Niveli rekord i ulët i lumenjve në të gjithë kontinentin, pasojë e thatësirës, ka nxjerrë nga shtretërit e ujit anije lufte gjermane të fundosura, një bombë dhe një motoçikletë të Wehrmachtit.
Ekspertët e lidhin drejtpërdrejt këtë dukuri me ndryshimet klimatike. "Ndryshimet klimatike tani po zbulojnë dhe po aktivizojnë atë që për dekada ka qenë e qëndrueshme nën tokë", shpjegoi Sarah Njeri, eksperte për paqen dhe konfliktet nga Fakulteti i Studimeve Orientale dhe Afrikane (SOAS) në Londër.
Të njëjtin qëndrim mban edhe Christina Greene, studiuese në Universitetin e Arizonës, sipas së cilës për shkak të ndryshimeve klimatike "trashëgimia e luftës po rishfaqet". "Në disa vende tani po përballemi me trashëgiminë e luftës dhe konfliktit në një mënyrë siç nuk na është dashur prej kohësh", përfundoi Greene.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

