Ministria e Mbrojtjes njofton se situata po përmirësohet – zjarret në Gurë-Lurë dhe Bruç janë shuar plotësisht, ndërsa katër vatra vijojnë të digjen larg zonave të banuara.

Situata e zjarreve në Shqipëri po ecën drejt qetësimit. Sipas bilancit të fundit të Ministrisë së Mbrojtjes, deri në orën 20:00 janë regjistruar shtatë vatra në total, nga të cilat katër mbeten aktive dhe tri janë vënë nën monitorim.
Ministria bën të ditur se dy zjarre janë shuar plotësisht: ai në Gurë-Lurë, pas një operacioni me rreth 150 forca vendore, 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy avionë Air Tractor, si dhe vatra në Bruç të Matit. Vatrat në Qafë Helmes, Tharri dhe Selenicë mbeten nën monitorim dhe pa rrezik për zonat e banuara.
Përballja me flakët në frontet ende aktive vijon. Në Dajt të Tiranës po punohet për izolimin e vatrës me 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter, pa rrezik për banesat. Në Priskë, ndonëse vatra është riaktivizuar, ajo po ndiqet nga forcat operacionale dhe nuk kërcënon shtëpitë. Në Lufaj të Mirditës zjarri mbetet aktiv, por me intensitet të ulët dhe avancim të lehtë, ndërsa forcat janë pozicionuar pranë zonës.
Operacioni më i vështirë po zhvillohet në Malin e Tërbunit në Pukë, ku terreni e ka komplikuar ndërhyrjen. Aty janë angazhuar 13 zjarrfikës, 8 punonjës të Shërbimit Pyjor, 45 forca bashkiake, 22 vullnetarë dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga dy helikopterë. Edhe këtu, sipas Ministrisë, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në total, mbështetja e Forcave të Armatosura ka përfshirë 140 efektivë, tre helikopterë dhe dy avionë Air Tractor. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njofton se po ndjek situatën në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile, ndërsa kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

