Pas javësh betejë me flakët në rezervatin natyror Deliblatska Peščara, Serbia aktivizoi Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së. Nga Rumania, Sllovakia, Republika Çeke dhe Gjermania po mbërrijnë helikopterë, automjete dhe qindra zjarrfikës.

Katër helikopterë zjarrfikës "Black Hawk", dhjetëra automjete emergjente dhe qindra zjarrfikës nga disa vende evropiane janë vënë në dispozicion të Serbisë, e cila prej javësh nuk po arrin t'i vërë nën kontroll zjarret e mëdha që kanë përfshirë disa zona të vendit.
Kërkesa erdhi të premten, kur Beogradi aktivizoi Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian. Fokusi kryesor i operacionit është rezervati natyror Deliblatska Peščara, rreth 80 kilometra larg kryeqytetit serb, ku përpjekjet për shuarjen e flakëve kanë zgjatur javë të tëra, ndërkohë që vatra zjarri janë regjistruar edhe në zona të tjera.
Helikopterët "Black Hawk" vijnë nga Rumania, Sllovakia dhe Republika Çeke. Një helikopter rumun dhe një sllovak iu bashkuan operacionit të shtunën, ndërsa dy të tjerë nga Republika Çeke pritet të angazhohen të dielën.
Në terren po vendoset edhe një forcë e konsiderueshme njerëzore dhe teknike: Gjermania ka dërguar 55 zjarrfikës dhe 24 automjete, ndërsa Rumania 69 zjarrfikës dhe 15 automjete.
Kreu i misionit të BE-së në Beograd, Andreas Beckerath, e përshkroi ndërhyrjen si një akt solidariteti. "Bashkimi Evropian qëndron pranë Serbisë në mbrojtjen e jetëve, pronave dhe trashëgimisë natyrore", tha ai.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

