Iryna Mudra, zëvendësdrejtoresha e kabinetit të presidentit ukrainas, largohet nga posti pas nisjes së një hetimi antikorrupsion dhe një kontrolli në banesën e saj, por këmbëngul se nuk është arrestuar.

Iryna Mudra, zëvendësdrejtoresha e kabinetit të presidentit ukrainas Volodimir Zelensky, ka konfirmuar dorëheqjen e saj përmes një mesazhi të gjatë të publikuar në rrjetin social X, pasi ndaj saj u hap një hetim për korrupsion dhe u krye një kontroll në banesën e saj.
"Askush nuk më ka arrestuar", theksoi ajo në reagimin e saj, duke hedhur poshtë çdo pretendim për një ndalim. Sipas Mudras, ajo ka "bashkëpunuar plotësisht" me hetuesit dhe nuk e kundërshton të drejtën e tyre për të zhvilluar hetimet.
Për sa u përket fragmenteve të bisedave të përhapura në rrjetet sociale, Mudra refuzoi t'i komentonte në këtë fazë, duke pohuar se do t'u përgjigjet akuzave pasi të njihet me dosjen.
Pjesën më të madhe të mesazhit të saj, ajo ia kushtoi mbrojtjes së punës katërvjeçare për t'i kërkuar Rusisë llogari për pushtimin e Ukrainës. Ndër arritjet, Mudra përmendi krijimin e një gjykate speciale për krimin e agresionit, mekanizmin ndërkombëtar për dëmshpërblimin e viktimave ukrainase dhe përpjekjet për të vënë në lëvizje rreth 300 miliardë dollarë asete sovrane ruse të ngrira në mbarë botën. Ajo u bëri thirrje autoriteteve që ta vazhdojnë këtë punë edhe pas largimit të saj, sidomos për gjykatën speciale, dëmshpërblimet dhe asetet ruse.
**Objekt i dyshuar si dron bie mbi një komisariat në Turqi**
Ndërkohë, të martën në mbrëmje, një objekt i dyshuar si dron u rrëzua brenda oborrit të një komisariati policie në Trabzon, në verilindje të Turqisë, duke dëmtuar disa automjete dhe ndërtesa, por pa shkaktuar viktima. Sipas mediave turke, objekti ra rreth orës 19:00 me kohën lokale në rrethin e Arsinit, duke shkaktuar një shpërthim që theu xhamat e komisariatit dhe të zyrave fqinje.
Guvernatori i Trabzonit, Tahir Sahin, që shkoi në vendngjarje, deklaroi se konstatimet e para lënë të kuptohet se bëhet fjalë për një dron, ndërsa ekspertët po ekzaminojnë mbetjet për të përcaktuar origjinën e tij. Pamje nga kamerat e sigurisë, të përhapura online, tregojnë një shpërthim brenda oborrit të komisariatit.
Deri më tani asnjë element nuk e lidh këtë incident me luftën mes Rusisë dhe Ukrainës. Megjithatë, javën e kaluar autoritetet turke gjetën një dron rus të tipit "Gerbera" në bregdetin e provincës Sakarja, në veriperëndim të vendit. Incidentet ndodhin në një kontekst të shtimit të sulmeve në Detin e Zi, ku ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, u kishte bërë thirrje më 8 gusht Rusisë dhe Ukrainës të vendosnin një moratorium mbi sulmet ndaj anijeve në atë zonë.
**Gjermania financon riparimin e mbulesës së Çernobilit**
Në një zhvillim të veçantë, Gjermania do të kontribuojë me 50 milionë euro për riparimin e harkut të ri mbrojtës të centralit bërthamor të Çernobilit, i cili u dëmtua nga një dron rus, njoftoi të mërkurën ministria ukrainase e energjisë. Fondet do të derdhen në llogarinë ndërkombëtare të bashkëpunimit për Çernobilin, që financon punimet e riparimit.
Ministri i energjisë Denis Shmihal e diskutoi këtë kontribut me ministrin gjerman të mjedisit, Karsten Shnajder. "Riparimi i strukturës së mbulimit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të garantuar sigurinë bërthamore të Ukrainës dhe të gjithë Evropës", deklaroi Shmihal.
Kostoja e restaurimit të plotë të harkut vlerësohet paraprakisht në rreth 500 milionë euro, sipas autoriteteve ukrainase. Punimet parashikohet të kryhen ndërmjet viteve 2028 dhe 2030.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

