Pas ditësh me shkrime për arrestime të kryetarëve të komunave dhe zyrtarëve publikë, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit thotë se këto raportime kanë sjellë konfuzion dhe pasiguri juridike. Institucioni as nuk i konfirmon, as nuk i mohon arrestimet.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka reaguar ndaj valës së raportimeve për "arrestime të personave zyrtarë", që sipas saj kanë qarkulluar gjatë ditëve të fundit në Kosovë dhe kanë përfshirë kryetarë komunash e zyrtarë publikë. Në njoftimin e saj, Kryeprokuroria nuk konfirmon dhe nuk mohon nëse ka pasur arrestime, as nuk përmend emra konkretë.
Sipas Zyrës së Kryeprokurorit, individë dhe media të caktuara kanë publikuar e shpërndarë shkrime të ndryshme për këtë çështje, të cilat kanë krijuar konfuzion në publik dhe pasiguri juridike. Prandaj institucioni u bën thirrje qytetarëve dhe mediave që, për çështjet që lidhen me punën e Prokurorit të Shtetit, "të bazohen vetëm në informacione zyrtare dhe të konfirmuara nga vetë institucioni, si dhe të shmangin çdo informacion tjetër që nuk është zyrtar dhe i konfirmuar".
Në të njëjtin reagim, Kryeprokurori i Shtetit siguron qytetarët se do të kujdeset që institucioni i Prokurorit të Shtetit "të trajtojë çdo rast penal në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet në fuqi dhe standardet më të larta të drejtësisë".
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

