Pas një nate bombardimesh mbi disa qytete ukrainase me të paktën katër të vrarë, presidenti Volodymyr Zelensky kërkoi një përgjigje kolektive. Të njëjtën ditë, një depo municionesh shpërtheu në Bullgari dhe hetuesit gjermanë ndoqën gjurmët e një droni me eksploziv në aeroportin e Lajpcigut.

Nata e bombardimeve ruse mbi disa qytete të Ukrainës la pas së paku katër të vrarë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cilësoi goditjet masive si sulme terroriste ndaj civilëve, duke theksuar në një mesazh të publikuar në Telegram se rusët po i kthejnë hapur njerëzit e zakonshëm në objektiva. Ai kërkoi një përgjigje kolektive dhe shprehu keqardhje se reagimi i fuqive të mëdha nuk është në lartësinë e përshkallëzimit rus.
Vetëm në Odessa, sipas Zelenskyt, 37 persona mbetën të plagosur, ndërsa dy të tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur. Qyteti portual u sulmua sërish të shtunën, me dëmtime të infrastrukturës, njoftoi shefi i administratës ushtarake të Odessës, Serhi Lisak.
Goditjet prekën edhe rrjetin hekurudhor. Hekurudhat ukrainase njoftuan në Telegram se objektet hekurudhore në Fastiv, në rajonin e Kievit, dhe në Luck u sulmuan nga forcat ruse. Udhëtarët u evakuuan nga trenat dhe punonjësit nga vendet e punës.
Ndërkohë, në qendër të Bullgarisë, vend anëtar i NATO-s dhe mbështetës i Ukrainës, një shpërthim i pasuar nga zjarre goditi një magazinë ruajtjeje municionesh. Policia bullgare bëri të ditur të shtunën se incidenti ndodhi të premten në mbrëmje në një depo pranë fshatit Gorni Varpishta. Objekti shfrytëzohet nga prodhuesi bullgar i armëve EMCO, municionet e të cilit përdoren në Ukrainë. Nuk u raportuan viktima dhe përmasat e dëmeve nuk ishin të njohura menjëherë.
Ministri bullgar i Brendshëm, Ivan Demerxhiev, deklaroi në një konferencë për shtyp se të gjitha hipotezat po shqyrtohen me kujdes dhe shtoi se objektet e ruajtjes kishin mangësi të caktuara, sidomos në aspektin e sigurisë. Vetëm pak javë më parë, një zjarr kishte rënë në një depo tjetër municionesh, rast për të cilin është hapur hetim. Presidentja bullgare, Iliana Jotova, tha të shtunën se po shqyrton mundësinë e mbledhjes së këshillit të sigurisë kombëtare, organ këshillimor pranë presidencës, duke kujtuar se rastet e shpërthimeve në depot e municioneve janë bërë më të shpeshta.
EMCO është pronë e industrialistit bullgar të mbrojtjes, Emilian Gebrev, i cili mbijetoi në vitin 2015 një tentativë helmimi së bashku me të birin dhe një drejtues tjetër të kompanisë. Prokuroria bullgare ka ngritur akuza ndaj tre shtetasve rusë për këtë çështje. Veç kësaj, gjashtë rusë janë akuzuar për vepra terrorizmi në lidhje me katër shpërthime të ndodhura në objekte armatimi bullgare mes viteve 2011 dhe 2020. Sipas prokurorisë, të katër shpërthimet ishin shkaktuar nga distanca dhe mund të lidhen me përpjekje për të penguar dërgesat e armëve për Gjeorgjinë dhe Ukrainën. Asnjë nga të akuzuarit nuk është shpallur fajtor nga një gjykatë.
Gjurmë të një presioni të ngjashëm po ndiqen edhe në Gjermani. Hetuesit gjermanë dyshojnë se një pjesëtar i shërbimit rus të inteligjencës ushtarake, GRU, mori pjesë në përgatitjen e një tentative sulmi hibrid me një dron të ngarkuar me eksploziv në aeroportin e Lajpcigut, në lindje të Gjermanisë, në gusht. Sipas gazetës gjermane Welt am Sonntag, droni u zbulua vonë në mbrëmjen e 4 gushtit në zonën e sigurisë të rezervuar për operacionet e transportit të mallrave, pranë një avioni kargo ukrainas. Aeroporti i Lajpcigut shërben si platformë për transportin e materialit ushtarak.
Rusi Oleg Le, pjesëtar i GRU-së, dyshohet se koordinoi logjistikën e projektit të sulmit, ndërsa i dyshuari i dytë i identifikuar është shtetasi bjellorus Andrei Ka. Këto elemente e çuan Berlinin të akuzojë Rusinë dhe të njoftojë disa masa, mes tyre mbylljen e konsullatës ruse në Bon dhe të një qendre kulturore ruse në Berlin. Moska ka mohuar çdo përfshirje. Një zëdhënëse e Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, shërbimi i inteligjencës së brendshme gjermane, i tha Agjencisë France-Presse se nuk mund t'i komentonte këto informacione për shkak të hetimit në vazhdim.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

