Ukraina po përgatitet për një raund të ri bisedimesh paqësore me Rusinë dhe SHBA-në muajin e ardhshëm, ndërsa presidenti Volodimir Zelenski paralajmëron se pa garanci sigurie lufta mund të rikthehet në çdo moment.

Ukraina po përgatitet për një raund të ri bisedimesh paqësore me Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat pritet të mbahen muajin e ardhshëm. Këtë e ka konfirmuar shefi i kabinetit të presidentit ukrainas, Kirillo Budanov, i cili nuk ka zbuluar se ku do të zhvillohen bisedimet.
Edhe Moska pret që takimi të mbahet në të ardhmen e afërt dhe që dialogu të vazhdojë. Raundi i mëparshëm mes Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së u zhvillua në shkurt në Gjenevë, por përfundoi pa marrëveshje. Mospajtimi kryesor mbetet statusi i ardhshëm i Donbasit.
Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, u shpreh se e di se Vladimir Putin dëshiron të pushtojë tërë vendin dhe se do ta bëjë këtë nëse Ukraina nuk është mjaftueshëm e fortë, nëse bota nuk është e bashkuar ose nëse nuk merren garanci sigurie. Sipas tij, garanci sigurie do të thotë të mos jetosh me frikën se nesër vendi mund të sulmohet dhe pushtohet sërish, pasi, siç tha ai, Putin nuk do ta ndryshojë kurrë objektivin e vet.
Nga ana ruse, ministri i Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov, deklaroi se Moska mbetet e hapur për bisedime, por se gjatë kohës sa ato zhvillohen nuk do ta ndalë atë që Rusia e quan operacion special ushtarak. Ai shtoi se një situatë e tillë ka ndodhur edhe një herë më parë dhe se prej asaj përvoje Moska ka nxjerrë përfundimet e veta.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

