Një letërporosi nga një shtet i Bashkimit Evropian ka çuar SPAK te ish-ministrja Olta Xhaçka dhe bashkëshorti i saj, biznesmeni Artan Gaçi. Dyshimet: korrupsion me persona të tretë dhe para të pastruara përmes kompanive të tij.

Ish-ministrja e Mbrojtjes dhe e Punëve të Jashtme, aktualisht deputete e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, është marrë zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për dyshime për korrupsion dhe pastrim parash. Në të njëjtën çështje hetohet edhe bashkëshorti i saj, biznesmeni Artan Gaçi.
Lajmin e raportoi ekskluzivisht gazetarja e News24, Klodiana Lala, e cila në një lidhje të drejtpërdrejtë tha se Xhaçka "akuzohet për korrupsion dhe pastrim të produkteve të veprës penale". Sipas saj, pozita e re përballë ligjit iu njoh ish-ministres më 14 tetor, në prani të avokatit.
Atë ditë, Xhaçka hyri në zyrat e SPAK pak minuta pasi prej andej kishte dalë bashkëshorti i saj. Ajo nuk dha asnjë sqarim për mediat. Sipas Lalës, edhe Gaçit i është komunikuar se është zyrtarisht nën hetim.
Pika e nisjes së hetimit, sipas gazetares, janë informacione të ardhura përmes një letërporosie nga një shtet i Bashkimit Evropian, emri i të cilit nuk është bërë publik. Dyshimi i prokurorëve është se çifti është përfshirë në vepra korrupsioni në raport me persona të tretë dhe se paratë më pas janë pastruar përmes kompanive të Gaçit.
Në qendër të vëmendjes është edhe aktiviteti i biznesmenit. Gaçi mban statusin e investitorit strategjik dhe, përmes kompanive të tij, po ndërton një resort luksoz "mbi një pronë ku rezulton se i janë falsifikuar dokumente", tha Lala.
Çështjen e ndjekin dy prokurorë të SPAK, Ols Dado dhe Altin Dumani, të cilët sipas gazetares kanë siguruar prova që rëndojnë pozitën e Xhaçkës. Në kuadër të hetimit janë kryer një sërë veprimesh, nga marrja e llogarive bankare deri te dokumentet dhe veprimet me të tretët.
Statusi i saj si deputete e bën hapin e radhës të ndjeshëm. "Mbetet për t’u parë qëndrimi i prokurorëve, nëse do të ketë një kërkesë për autorizim drejtuar Kuvendit të Shqipërisë apo do të hetohet në gjendje të lirë", tha Lala.
As Xhaçka, as Gaçi nuk kanë folur publikisht për dyshimet. Të dy prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

