Prokurori që hapi rrugën për Gjykatën Speciale thotë se dënimi i katër ish-krerëve të UÇK-së konfirmon në masë të madhe atë që hetimi i tij kishte gjetur 12 vjet më parë. Ai nuk pret raste të reja.

Prokurori amerikan që udhëhoqi hetimin nga i cili lindën Dhomat e Specializuara të Kosovës thotë se aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit nuk solli befasi për të. Sipas Clint Williamson, ish-kryeprokurorit të Task Forcës Speciale Hetimore, ajo që gjykata vendosi përputhet në masë të madhe me gjetjet paraprake që ekipi i tij publikoi në vitin 2014.
"Në fund të korrikut 2014, ne bëmë publike gjetjet tona paraprake nga hetimi", tha Williamson në një intervistë për Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative (BIRN). "Ato kryesisht përputheshin me atë që ishte në aktgjykimin që sapo u shpall nga Gjykata Speciale e Kosovës."
Gjetjet e asaj kohe, sipas tij, flisnin për dhunë të rëndë: "Kështu, ne gjetëm se kishte pasur një numër të rasteve të trajtimit çnjerëzor, torturës dhe vrasjeve që u drejtuan kundër pakicave etnike në Kosovë, si dhe kundër shqiptarëve që ishin kundërshtarë politikë të UÇK-së dhe të të akuzuarve që u dënuan së fundmi në këtë aktgjykim."
Task Forca Speciale Hetimore u krijua nga Bashkimi Evropian në shtator të vitit 2011, me detyrën për të hetuar pretendimet e raportit të Dick Martyt. Williamson e drejtoi atë për tre vite, nga shtatori i 2011-s deri në gusht të 2014-s. Ky trup ishte paraardhësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Në deklaratën e vitit 2014, hetuesit kishin arritur në përfundimin se nuk kishte prova të mjaftueshme për një aktakuzë për trafikim organesh, por kishte mjaftueshëm për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ky përfundim çoi në themelimin e Dhomave të Specializuara.
Që atëherë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ngritur tri aktakuza për krime lufte. Dy prej rasteve kanë përfunduar me aktgjykime të formës së prerë, ndërsa i treti, ai ndaj ish-krerëve të UÇK-së, është në shkallë të parë: më 16 shtator, Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi u shpallën fajtorë për krime lufte. Vendimi nuk është i formës së prerë.
Williamson ishte i kujdesshëm kur u pyet për dallimet konkrete mes gjetjeve të tij dhe veprave për të cilat u dënuan të katërt. "Kjo është diçka për të cilën do të ishte e vështirë për mua të komentoj. Nuk e kam lexuar të gjithë aktgjykimin", tha ai, duke shtuar se kishte lexuar vetëm përmbledhjen, "e cila ofron një pasqyrë mjaft sipërfaqësore të gjetjeve faktike".
Megjithatë, vlerësimi i tij i përgjithshëm mbeti i njëjtë: "Mendoj se nga ajo që u tha nga gjyqtarët në aktgjykim dhe ajo që pasqyrohet në përmbledhje, përsëri, përputhet me kuptimin tonë të përgjithshëm faktik të asaj që ka ndodhur."
Ai pranoi se koha ka lënë gjurmë në provat. "Pa dyshim që do të prisja të kishte dallime. Tani kanë kaluar 12 vjet që kur ne i publikuam këto gjetje paraprake. Jam i sigurt se kishte disa dëshmitarë që ndërruan jetë apo u pamundësuan ndërkohë dhe nuk mundën të bashkëpunonin në proces. Jam i sigurt se ata gjetën dëshmitarë shtesë me të cilët folën", tha Williamson. Sipas tij, provat që prokurorët paraqitën përfundimisht në gjyq ka të ngjarë të kenë devijuar pak nga ato të ekipit të tij, "thjesht për shkak të kalimit të kohës".
Dallimi më i madh, sipas ish-kryeprokurorit, lidhet me periudhën kohore. Hetimi i tij kishte mbuluar si muajt e konfliktit të armatosur, ashtu edhe kohën pas tij. "Ne shqyrtuam shkeljet që u kryen gjatë periudhës së konfliktit të armatosur dhe ato që ndodhën pas përfundimit të konfliktit të armatosur. Për shkak se në fund Gjykata vendosi se akuzat e duhura për të cilat këta individë do të dënoheshin lidheshin vetëm me krimet e luftës, kjo u kufizua vetëm në periudhën e konfliktit të armatosur", shpjegoi ai.
Kështu, pjesa e akuzave për ngjarjet pas 20 qershorit 1999 mbeti jashtë, pasi ato nuk konsiderohen krime lufte. "Por përsëri fokusi i tyre, në aktgjykim, ishte në akuzat për krime lufte dhe ato duhej të ishin kryer gjatë një periudhe të konfliktit të armatosur", tha Williamson, duke theksuar se kjo ndodhi "përderisa ata hodhën poshtë krimet kundër njerëzimit, gjë që do të mundësonte ushtrimin e juridiksionit pas periudhës së konfliktit të armatosur."
Ai nuk e kundërshtoi këtë zgjedhje të gjyqtarëve. "Sikur të kishin vendosur se krimet kundër njerëzimit do të kishin qenë gjithashtu një aktgjykim i duhur, kjo do të mund të shqyrtohej në periudhën pas përfundimit të konfliktit. Kështu që mendoj se ky ishte dallimi që u bë aty. Dhe mendoj se kjo është në rregull."
Williamson u ndal edhe te pyetja e krimeve të kryera nga forcat serbe. Ai kujtoi se ato u hetuan nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ). "Siç e shpjegova në gjetjet paraprake në vitin 2014, hetimet që përfshinin në veçanti sjelljen e serbëve u ndërmorën nga TPNJ-ja sepse TPNJ-ja kishte juridiksion mbi ato krime", tha ai. "Ata nuk kishin juridiksion në periudhën e pasluftës, e cila ishte fokusi ynë parësor. Siç e thashë, kjo do të përfshinte krime që hynë në kategorinë e krimeve kundër njerëzimit."
Për ish-kryeprokurorin, gjykata nuk u ngrit kundër UÇK-së si organizatë, por për të hetuar përgjegjësinë individuale të ish-krerëve të saj. Ai thekson se akuzat për ndërmarrje të përbashkët kriminale u referohen vetëm akteve të veçanta, jo vetë rezistencës.
Sa i përket së ardhmes së Specialës, Williamson nuk pret shumë: "Do të isha i befasuar nëse Gjykata Speciale vazhdon me raste të tjera".
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

