Ish-komandanti i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Wesley Clark, e quan Hashim Thaçin "viktimë" dhe thotë se nuk i janë treguar kurrë prova kundër tij. Ai shprehet i gatshëm të dëshmojë nëse ftohet në procesin e apelit.

"Mjaft me kaq." Me këto fjalë ish-komandanti i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, gjenerali amerikan Wesley Clark, ka kërkuar që Hashim Thaçi dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së të kthehen në Kosovë, duke e cilësuar procesin në Dhomat e Specializuara në Hagë si të gabuar.
Në një intervistë për Klan News, Clark rrëfeu se gjatë luftës e kishte takuar Thaçin dy herë. Sipas tij, Thaçi nuk ishte ai që drejtonte drejtpërdrejt operacionet ushtarake. "Asnjëherë nuk më janë treguar prova për atë që mund të kishte bërë Thaçi. Unë e kam takuar dy herë Hashim Thaçin gjatë konfliktit në Kosovë. Ai nuk ishte udhëheqësi, Agim Çeku ishte drejtuesi", deklaroi ish-gjenerali.
Clark shtoi se Thaçi nuk kishte kontroll të përditshëm mbi atë që ndodhte në terren gjatë luftimeve. Ai kritikoi mënyrën se si, në vlerësimin e tij, është trajtuar përgjegjësia penale në gjykimin në Hagë. "Vendimi është ofendues", tha ai, duke kujtuar se gjatë dëshmisë së tij në Hagë ishte ndërprerë në momentin kur kishte ngritur një krahasim për rebelimet dhe përgjegjësinë për vrasjet.
Fajin për luftën, Clark ia ngarkoi Millosheviçit. "Europa duhet të respektojë popullin e Kosovës, që luftuan për parimet. Millosheviçi ka qenë përgjegjës. Ai ishte një person që donte të promovonte spastrimin etnik. Hashim Thaçi është viktimë dhe kjo është gabim", u shpreh ai. Ish-gjenerali pohoi se kishte kërkuar të shihte provat për akuzat ndaj Thaçit: "Unë kam kërkuar provat, dhe nuk kishte prova. Të paktën në dijeninë time."
Ai e krahasoi Gjykatën Speciale me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, duke e quajtur këtë të fundit më të drejtë, sepse sipas tij vendimet e tij mbështeteshin në prova reale për krimet e kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi. Sipas Clark, në atë kohë "kishte prova të vërteta për veprimet e gabuara që u bënë", ndërsa autoritetet ndërmorën hapa ndaj të dyshuarve për krime lufte.
Për Clark, është koha që procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së të mbyllet. "Mendoj se gjykata ka marrë fund. Le të rikthejmë Hashim Thaçin dhe të tjerët në Kosovë, dhe të kthehen në jetën e tyre. Të ecim përpara. Hashim Thaçi ka kaluar 5 vite në paraburgim. Mjaft me kaq", tha ai.
I pyetur nëse do të ishte i gatshëm të dëshmonte në procesin e apelit në favor të ish-krerëve të UÇK-së, gjenerali amerikan nuk e përjashtoi një mundësi të tillë: "Do ta vlerësoja shumë nëse do të më ftonin për të shpjeguar se çfarë ndodhi."
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

