Diplomati amerikan në pension William Walker, shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, e quajti "ditë e kobshme" vendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe i kërkoi llogari Bashkimit Evropian për heshtjen e tij para vitit 1999.

Njeriu që hyri i pari në Reçak në janar të vitit 1999 dhe e quajti atë që pa "mizori të papërshkrueshme" ka folur sërish për Kosovën, këtë herë për verdiktin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Diplomati amerikan në pension William Walker, atëbotë në krye të Misionit Verifikues të OSBE-së, e ka cilësuar vendimin "ditë e kobshme" për vendin.
Në një prononcim për Klan Kosovën, Walker tha se u mërzit thellë me aktgjykimin dhe e ktheu kritikën drejt Bashkimit Evropian.
"Dua ta pyes Bashkimin Evropian, ku ishit para se lufta të niste kur serbët i keqtrajtuan në format më mizore kosovarët. Përpos deklaratave, asgjë më serioze. Ju desh NATO-s, Albrightit e Clarkut që të angazhohen seriozisht. Kishte dhunime, trajtime mizore. Ata po mundohen që përmes gjyqtarëve e avokatëve që s'dinë asgjë për Kosovën t'i gjykojnë liderët kosovarë të UÇK-së. Ditë e kobshme dhe shumë e rëndë, u mërzita shumë me vendimin", deklaroi ai.
Sipas Walkerit, pasojat nuk mbarojnë te salla e gjyqit: ai vlerësoi se vendimi do ta afektojë rëndë Kosovën në mënyrën si e shohin ndërkombëtarët tash e tutje.
Walker u bë një prej figurave më të njohura ndërkombëtare të viteve 1998-1999 pikërisht për shkak të qëndrimit të tij ndaj ngjarjeve në Kosovë. Pas vizitës në vendin e masakrës së Reçakut, ai e cilësoi atë krim kundër njerëzimit, qëndrim që e vuri në përplasje të hapur me autoritetet e atëhershme jugosllave.
Aktgjykimi i së mërkurës i Gjykatës Speciale në Hagë ka zënë ballinat e mediave ndërkombëtare, me vëmendjen kryesore te dënimi prej 25 vitesh burgim për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i shpallur fajtor së bashku me tre ish-krerë të tjerë të UÇK-së për krime lufte të kryera gjatë luftës së viteve 1998-1999. Agjencia amerikane Associated Press raportoi se Thaçi u përball me akuza për vrasje, torturë dhe persekutim, ndërsa Reuters shkroi se ai, 58 vjeç, u shpall fajtor për vrasje, torturë dhe ndalim të paligjshëm, të kryera kur ishte komandant i lartë i UÇK-së. Gazeta britanike The Guardian e vendosi në titull dënimin prej 25 vitesh.
Euronews nxori në pah deklaratën e kryetarit të trupit gjykues se procesi "nuk ishte për legjitimitetin" e UÇK-së apo për qëllimin e saj për sigurimin e pavarësisë së Kosovës, duke shtuar se Gjykata Speciale nuk ka gëzuar mbështetje të gjerë popullore në Kosovë që nga themelimi, përfshirë kritikat për përdorimin e dëshmive të siguruara nga Beogradi, i cili vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.
The New York Times raportoi se gjykata e shpalli Thaçin fajtor për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje, duke theksuar se dënimi i dha fund një procesi që ka nxitur debat në Kosovë rreth figurës së tij, hero lufte apo lider i një kryengritjeje të armatosur. Gazeta rikujtoi edhe vitin 2020, kur Thaçi u njoftua për aktakuzën ndërsa ndodhej në Vjenë, në rrugë për në Shtëpinë e Bardhë, ku ishte planifikuar të merrte pjesë në bisedime për paqe me Serbinë.
Ndërkohë, reagimi në rrugë ka vijuar. Protestuesit u rikthyen te objekti i EULEX-it, ku hodhën gurë dhe vendosën flamurin e UÇK-së në hyrjen kryesore, ndërsa Policia njoftoi për dy të arrestuar, gurëhedhje dhe tentativa për depërtim. Protesta vazhdoi edhe para qeverisë, me brohoritje "Kush s'bashkohet është tradhtar". Ambasada e Italisë ka bërë thirrje që verdikti i Hagës të respektohet, duke rikujtuar se ndaj tij mund të ushtrohet ankesë.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

