Murat Demirtepe, shtetas turk i kërkuar me letërrreshtime ndërkombëtare nga Mali i Zi dhe Turqia, u paraqit para Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku po shqyrtohet nëse plotësohen kushtet ligjore për ekstradimin e tij.

Një shtetas turk i kërkuar nga INTERPOL-i është paraqitur sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë. Murat Demirtepe qëndroi para gjyqtarit Driton Berisha, në Departamentin e Përgjithshëm, Divizioni Penal, ku nisi seanca për ekstradimin e tij.
Demirtepe ishte arrestuar në Prishtinë më 14 korrik 2026 nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim me Departamentin e Kufirit të Policisë së Kosovës. Arrestimi u krye në bazë të letërrreshtimeve ndërkombëtare të lëshuara nga autoritetet e Malit të Zi dhe të Turqisë, të cilat e kërkojnë atë për vepra të ndryshme penale, mes tyre mashtrim, shmangie nga tatimi dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare.
Në seancën e sotme gjykata pritet të vlerësojë nëse janë përmbushur kushtet ligjore për dorëzimin e tij, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret pasi të shqyrtohet kërkesa dhe dokumentacioni i dorëzuar nga autoritetet përkatëse. Seanca nuk ka të bëjë me vërtetimin e fajësisë, por vetëm me procedurën e ekstradimit.
Emri i Demirtepes kishte dalë edhe më herët në Kosovë. Në nëntor të vitit 2025 ai ishte arrestuar së bashku me një shtetas tjetër turk, Ihsan Kiliç, gjatë një operacioni policor në Prishtinë. Dyshimet e atëhershme ishin se përmes një zyre ndërmjetësimi me emrin "Anatolia Express" përgatiteshin dokumente të falsifikuara për shtetas turq, që këta të fundit të aplikonin për leje të përkohshme qëndrimi në Kosovë.
Gjatë kontrolleve në tri lokacione, Policia kishte sekuestruar gjashtë vula me përmbajtje të ndryshme. Njëra prej tyre mbante mbishkrimin e Konsullatës së Turqisë në Prishtinë. Në duart e policisë kishin përfunduar edhe dokumente të dyshuara si të falsifikuara, një revole, katër telefona dhe dy laptopë, si dhe kartëmonedha e 671 monedha metalike të dyshuara si të falsifikuara, në vlerë të përgjithshme prej 1.342 eurosh.
Gjashtë shtetas turq ishin intervistuar atëherë në cilësinë e dëshmitarëve dhe kishin deklaruar se dokumentet e tyre ishin përgatitur pikërisht në zyrën "Anatolia Express". Rasti ishte iniciuar nën dyshimet për "Falsifikim të dokumenteve", "Falsifikim të parasë" dhe "Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve".
Të gjitha këto mbeten dyshime të pavërtetuara në gjykatë. Vendimi për ekstradimin e Demirtepes ende nuk është shpallur.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

