Mesazhe mashtruese dhe dokumente me vula e nënshkrime të falsifikuara po qarkullojnë në emër të institucioneve të Kosovës. Policia thotë se dokumenti i publikuar nuk është i sajin dhe kërkon që qytetarët të mos përgjigjen.

Emri, logot, vulat dhe nënshkrimet e institucioneve të Kosovës po përdoren pa autorizim në një valë mesazhesh mashtruese dhe dokumentesh të falsifikuara që po qarkullojnë ndër qytetarë. Paralajmërimin e ka dhënë Policia e Kosovës, e cila sqaron se dokumenti i publikuar nuk ka asnjë lidhje me të.
"Policia e Kosovës njofton qytetarët se janë duke qarkulluar mesazhe mashtruese dhe dokumente të falsifikuara, të cilat në mënyrë të paautorizuar përdorin emrin, logot, vulat dhe nënshkrimin fals të institucioneve të Kosovës. Policia e Kosovës sqaron se dokumenti i publikuar nuk është njoftim zyrtar i Policisë së Kosovës dhe qytetarët nuk duhet t'u përgjigjen kërkesave të tilla", thuhet në njoftimin e Policisë, të lëshuar në Prishtinë më 15 shtator 2026.
Kërkesa kryesore drejtuar publikut është të mos ndërmerret asnjë veprim mbi bazën e këtyre mesazheve. "Ftojmë qytetarët që të mos ndajnë të dhëna personale, të mos dërgojnë dokumente apo informacione përmes adresave të dyshimta dhe të mos ndërmarrin veprime bazuar në mesazhe të tilla. Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për trajtimin e rastit dhe identifikimin e personave përgjegjës. Për çdo informacion zyrtar, qytetarët duhet t'u referohen vetëm kanaleve zyrtare të institucioneve", thekson Policia.
Në listën e këshillave praktike, Policia kërkon shmangien e lidhjeve të dyshimta, mosdhënien e të dhënave bankare apo personale dhe një paralajmërim të drejtpërdrejtë: "Mos hapni faqe që kërkojnë pagesa përmes SMS-ve." Mesazhet e tilla, sipas rekomandimit, duhet të fshihen menjëherë dhe të raportohen tek autoritetet, ndërsa kushdo që ka ndarë të dhëna bankare duhet të kontaktojë pa vonesë bankën.
Kanalet e raportimit janë dy: "Raportoni përmes aplikacionit 'Lajmëro Policinë' ose telefononi në 192."
Personat përgjegjës për mesazhet dhe dokumentet e falsifikuara ende nuk janë identifikuar, ndërsa Policia thotë se po vijon me veprimet për trajtimin e rastit. "Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj mbrojtjes së qytetarëve, informimit të saktë dhe parandalimit të çdo forme të mashtrimit dhe keqpërdorimit të identitetit institucional", përfundon njoftimi.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

