Pas vizitës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Preshevë, kryetarja e komunës, Ardita Sinani, kërkon shpjegim publik pse investimet për një pjesë të komunës mund të realizohen brenda pak javësh, ndërsa kërkesat e shqiptarëve presin me vite.

Vizita e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Preshevë ka nxjerrë në sipërfaqe një përplasje të hapur mbi trajtimin që shteti u bën qytetarëve të kësaj komune. Kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka reaguar menjëherë pas vizitës, me një mesazh që e përmbledh në një fjali: Presheva "nuk mund të ketë dy standarde".
Në qendër të reagimit të saj qëndron një krahasim kohor. Sinani ngre pyetjen pse qytetarët shqiptarë duhet të presin me vite për përgjigje, projekte dhe investime, përderisa tani dëgjohet për investime që mund të realizohen brenda pak javësh në një pjesë të komunës. "Prandaj, kur dëgjojmë për investime që mund të realizohen brenda pak javësh në një pjesë të komunës, pyetja është e thjeshtë:", shkruan ajo, para se ta formulojë: "Pse qytetarët shqiptarë duhet të presin me vite për përgjigje, projekte dhe investime nga institucionet qendrore?"
Kryetarja thekson se komuna nuk kundërshton asnjë investim. "Çdo investim në Strezoc, Mamincë, Svinjishtë, Slavujevc apo në cilindo vendbanim të Komunës së Preshevës është i mirëseardhur. Ne nuk kemi qenë dhe nuk do të jemi kundër asnjë investimi që përmirëson jetën e qytetarëve tanë", thotë ajo. Por, shton, "sot, pas vizitës së Presidentit Vuçiq në Preshevë, nuk mund të mos them atë që qytetarët e mi e shohin dhe e përjetojnë çdo ditë".
Si dëshmi se vetë komuna nuk bën dallime, Sinani rendit punët e kryera në fshatra ku jetojnë edhe banorë joshqiptarë: "Ne, si Komunë, nuk i ndajmë qytetarët sipas përkatësisë etnike. Këtë e kemi dëshmuar me punë, jo me fjalë. Kemi përgatitur projektin për shkollën në Mamincë, kemi investuar në kanalizimin e këtij fshati dhe kemi realizuar fazën e parë të asfaltimit të rrugës drejt Svinjishtës. Sepse për ne, banori i Mamincës, i Strezocit, i Svinjishtës apo i çdo vendbanimi tjetër është mbi të gjitha qytetar i Komunës së Preshevës." Dhe menjëherë pas kësaj, kërkesa: "Por të njëjtin standard që e zbatojmë ne, kemi të drejtë ta kërkojmë edhe nga shteti."
Sipas saj, komuna ka dërguar kërkesa zyrtare që kanë mbetur pa përgjigje: "Kemi kërkuar zyrtarisht investime për Shkollën “Prof. Ibrahim Kelmendi”, për shkollën në Mamincë, për çerdhen “8 Marsi” dhe për projekte të tjera që lidhen drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve tanë."
Kryetarja e Preshevës i drejtohet drejtpërdrejt majës së shtetit serb: "Në Preshevë jetojnë shqiptarë, serbë, romë dhe qytetarë të komuniteteve të tjera. Ne duam që secili të jetojë më mirë. Por kjo nuk mund të përdoret si arsyetim për ta bërë shqiptarin të padukshëm para shtetit. Presidenti i Republikës, Qeveria dhe institucionet e Serbisë duhet ta dinë se kanë përballë një komunë që është e gatshme për bashkëpunim, por jo për heshtje."
Ajo e refuzon leximin se kërkesat e shqiptarëve vijnë në dëm të komuniteteve të tjera: "Nuk kërkojmë që të merret nga njëri për t’i dhënë tjetrit", shkruan, duke shtuar: "Kërkojmë të mos merret nga shqiptarët për t’u dhënë të tjerëve." Për Sinanin, vepra pa barazi nuk mjafton: "Rrugët e reja janë të mira. Shkollat e rinovuara janë të mira. Vendet e reja të punës janë të mira. Por ato janë të mira vetëm kur janë pjesë e një politike të barabartë për të gjithë qytetarët."
Mesazhin e mbyll me një qëndrim që, thotë, do ta përsërisë në Preshevë, në Beograd, në Prishtinë, në Tiranë dhe para kujtdo që duhet ta dëgjojë: "Nuk kërkojmë më shumë se të tjerët. Kërkojmë të mos marrim më pak. Nuk jemi kundër zhvillimit të askujt. Jemi kundër diskriminimit të kujtdo." Dhe në fund: "Shqiptarët e Preshevës janë këtu. Janë qytetarë. Kanë nevoja. Kanë të drejta. Dhe nuk do të pranojmë të trajtohemi si qytetarë të dorës së dytë ose që nuk ekzistojnë fare."
Presheva është një ndër komunat e Luginës së Preshevës me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, ku çështja e investimeve të institucioneve qendrore ka qenë prej kohësh temë e ngritur nga përfaqësuesit vendorë.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

