Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka reaguar ndaj dënimeve të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke u ndalur te pikat e akuzës që gjykata i rrëzoi dhe te rastet që, sipas tij, mbetën jashtë procesit.

Dy ditë pasi Gjykata Speciale në Hagë shqiptoi dënimet ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e komentoi aktgjykimin me një mesazh të përmbajtur drejtuar publikut serb: serbët, sipas tij, "nuk kanë arsye as të gëzohen, as të pikëllohen". Ai shtoi se duhet pritur procesi i apelimit dhe vendimi përfundimtar.
Pjesa më e madhe e reagimit të Vuçiqit u përqendrua në atë që aktgjykimi i shkallës së parë, sipas tij, nuk përmban. Presidenti serb deklaroi se në vendim nuk janë përfshirë krimet kundër njerëzimit dhe se gjykata rrëzoi të gjashtë pikat e akuzës për këto krime, me arsyetimin se nuk ishte dëshmuar ekzistenca e një sulmi të gjerë ose sistematik ndaj popullatës civile. Gjithashtu, ai pretendoi se krimet e kryera ndaj serbëve pas 20 qershorit 1999 nuk janë përfshirë në aktgjykim.
Vuçiq u ndal edhe te pretendimet për trafikim organesh, duke thënë se çështja e të ashtuquajturës "Shtëpi e Verdhë" nuk ishte pjesë e aktakuzës, për shkak të pamundësisë për të siguruar prova të mjaftueshme. Ai theksoi po ashtu se gjykata nuk e ka shpallur UÇK-në organizatë kriminale në tërësi, por ka trajtuar përgjegjësinë penale individuale të të akuzuarve.
Presidenti serb përmendi më tej një sërë rastesh vrasjesh dhe zhdukjesh të serbëve dhe joshqiptarëve në Kosovë, duke pretenduar se ato nuk kanë hyrë në këtë proces gjyqësor.
Gjykata Speciale të mërkurën dënoi Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet. Vendimi i shkallës së parë mund të atakohet në apel.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

