Në vend që të zbutet pas kritikave të Brukselit, Uashingtonit dhe Berlinit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq e ashpërson gjuhën, akuzon Bashkimin Evropian se mbron "shërbëtorët e tij shqiptarë" dhe flet për "bisedën më të keqe" me KFOR-in.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk po heq dorë nga retorika për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër. Përkundrazi, pas reagimeve nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania, ai ka zgjedhur ta ashpërsojë edhe më tej tonin, duke e drejtuar tani sulmin nga Prishtina te vetë Brukseli.
Në një paraqitje në Arilje, Vuçiq akuzoi Bashkimin Evropian se po mbron institucionet e Kosovës. "Por ata reaguan menjëherë ndaj kësaj, për të mbrojtur ‘shërbëtorët e tyre shqiptarë’ dhe për t’u thënë edhe një herë: vazhdoni të kryeni krime", deklaroi presidenti serb.
Deklarata e tij erdhi pasi Komisioni Evropian kishte reaguar ndaj pretendimeve për një ndryshim të mundshëm të rrjedhës së Ibrit, duke bërë të qartë se deklaratat e tilla nuk kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anita Hipper, theksoi se çështjet mes palëve duhet të trajtohen përmes dialogut.
Në vend që të zbrapsej nga fjalët për Ibrin, Vuçiq e zhvendosi debatin te akuzat ndaj Kosovës, duke pretenduar se serbët atje arrestohen, keqtrajtohen dhe përballen me "persekutim të përditshëm". Për këto pretendime ai nuk paraqiti prova konkrete gjatë paraqitjes së tij.
Presidenti serb goditi po ashtu mënyrën se si po zhvillohet dialogu Kosovë-Serbi, duke pretenduar se Brukseli nuk ka reaguar ndaj asaj që ai e cilëson si moszbatim të marrëveshjeve nga Prishtina, e duke përmendur në veçanti Asociacionin e komunave me shumicë serbe. "A e keni fjalën për dialogun që nënshkruat edhe për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, a e keni fjalën për atë dialog?", tha ai, ndërsa vuri në pikëpyetje edhe rolin e vetë Bashkimit Evropian në procesin e normalizimit: "Thjesht mos u shtirni se jeni këtu për ndonjë lloj dialogu apo diçka të tillë, sepse nuk jeni për dialog".
Vuçiq zgjeroi kritikat edhe drejt KFOR-it, misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë. Ai foli për një bisedë mes shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Serbisë, Milan Mojsiloviq, dhe komandantit të KFOR-it, Özkan Ulutaş, të cilën e cilësoi si "ndoshta biseda më e keqe" mes tyre deri atëherë.
Reagime kanë ardhur edhe nga jashtë Brukselit. Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit i tha Radios Evropa e Lirë se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë prioritete të SHBA-së, duke theksuar se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është pjesë e domosdoshme e këtij procesi. Ndërkaq, Ambasada gjermane në Kosovë deklaroi se ndryshimi i rrjedhës së lumit Ibër nuk i shërben objektivit të normalizimit dhe u bëri thirrje të gjithë aktorëve që të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet që pengojnë përparimin në dialog.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

