Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka dalë përsëri në mbrojtje të Ratko Mladiqit, të dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, teksa mekanizmi i OKB-së në Hagë e ka refuzuar kërkesën për transferim mjekësor në Serbi.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka dalë sërish në mbrojtje të Ratko Mladiqit, ish-komandantit ushtarak serb të Bosnjës që po vuan dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Vuçiq vuri në pikëpyetje pse autoritetet ndërkombëtare nuk e kanë lejuar Mladiqin të dalë nga burgu në Hagë për trajtim mjekësor në Serbi.
Sipas Vuçiqit, rasti i Mladiqit duhet parë kryesisht si një çështje humanitare dhe jo përmes vendimit gjyqësor kundër tij. Presidenti serb tha se nuk e kupton qëndrimin e autoriteteve ndërkombëtare ndaj përkeqësimit të shëndetit të ish-komandantit, të cilin e paraqiti si drejt fundit të jetës.
"Sa i përket gjeneral Mladiqit, kjo ka të bëjë vetëm me një qasje humane ndaj një qenieje njerëzore. Pse po sillen në këtë mënyrë dhe pse po e bëjnë këtë? Sinqerisht nuk e kuptoj", tha Vuçiq.
Duke bërë krahasim me një rast të mëparshëm, ai iu referua ish-gjeneralit Nebojša Pavković. "Qoftë një javë apo pesë javë, është e njëjta gjë. Ata mund të kishin bërë atë që bënë me Nebojša Pavković-in, kur pritën derisa atij t'i kishin mbetur vetëm dy javë para vdekjes, dhe pastaj e lejuan të kthehej në vendin e tij, të paktën për të vdekur aty ku kishte jetuar dhe për atë që kishte luftuar", tha presidenti serb.
Mladiq, një nga figurat qendrore të udhëheqjes ushtarake serbe të Bosnjës gjatë luftës së viteve 1992-1995, u dënua me burgim të përjetshëm në Hagë. Emri i tij lidhet drejtpërdrejt me gjenocidin e Srebrenicës të vitit 1995 dhe me krime të tjera të kryera kundër civilëve gjatë konfliktit.
Gjendja e tij shëndetësore ka qenë prej muajsh objekt raportimesh. Familja e Mladiqit deklaroi në maj 2025 se mjekët besonin se ai nuk do të mbijetonte deri në fund të vitit, ndërsa avokatët dhe familja kanë thënë vazhdimisht se gjendja e tij është përkeqësuar seriozisht. Mekanizmi Ndërkombëtar i Mbetjeve për Tribunalet Penale, me seli në Hagë, e ka konfirmuar se Mladiq ndodhet në "fazën e fundit të jetës së tij".
Megjithatë, presidentja e Mekanizmit, Graciela Gatti Santana, hodhi poshtë kërkesën e familjes dhe të avokatëve për lirim të përkohshëm dhe transferim në Serbi për trajtim mjekësor. Mekanizmi gjyqësor i OKB-së e la në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm.
Vuçiq është përballur vazhdimisht me kritika për qëndrimet e tij mbi trashëgiminë e gjykatës së Hagës dhe gjenocidin e Srebrenicës. Gjatë debatit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në vitin 2024 për një rezolutë që përcaktonte 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës, ai u shfaq duke mbajtur flamurin serb dhe bëri fushatë kundër miratimit të rezolutës.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

