Pas njoftimit të presidentit serb se Beogradi po shqyrton ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër, Brukseli dhe Uashingtoni kërkuan largim nga veprime që dëmtojnë normalizimin, ndërsa Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë e cilësoi ujin si armë presioni të papranueshme.

Ideja e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për të ndryshuar rrjedhën e lumit Ibër ka hapur një front të ri diplomatik mes Beogradit dhe Prishtinës, duke tërhequr reagime nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë.
Më 9 gusht, Vuçiq deklaroi se autoritetet serbe po shqyrtojnë me ekspertë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, duke e lidhur këtë me rrënimin e shtëpive dhe vilave të serbëve pranë Liqenit të Ujmanit, në veri të Kosovës. Deklarata e tij nxiti reagime të ashpra nga zyrtarët në Kosovë dhe u pasua nga një përplasje publike ndërmjet zyrtarëve të Shqipërisë dhe Serbisë.
Bashkimi Evropian u përgjigj duke thënë se deklaratat për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumit, si dhe veprimet që nuk i shërbejnë normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të shmangen. "Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm përmes dialogut", tha më 11 gusht një zëdhënës i Komisionit Evropian në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë. "Deklaratat, përfshirë ato për ndryshime të mundshme të rrjedhës së lumit, dhe veprimet që nuk e mbështesin këtë synim duhet të shmangen", theksoi ai. Komisioni rikujtoi se përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që të dyja palët të avancojnë në rrugën e tyre evropiane.
Për rrënimet në zonën e Liqenit të Ujmanit, me të cilat Vuçiq e kishte lidhur deklaratën e tij, Komisioni Evropian u shpreh: "Sa i përket situatës në liqenin e Gazivodës/Ujmanit, ne tashmë kemi shprehur shqetësimet tona lidhur me rrënimet e fundit". Sipas tij, çdo masë zbatuese me pasoja të pakthyeshme duhet të respektojë procesin e rregullt ligjor: "Personave të prekur duhet t'u jepet mundësi efektive për të kërkuar mbrojtje ligjore dhe, kur është e zbatueshme, mbrojtje të përkohshme gjyqësore para se masa të zbatohet".
Edhe Departamenti amerikan i Shtetit reagoi, duke i thënë Radios Evropa e Lirë se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë prioritete të Shteteve të Bashkuara. "Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është pjesë e domosdoshme e këtij procesi", tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
Në reagimin e tij, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) shprehu shqetësim të thellë lidhur me deklaratën e Vuçiqit, duke e cilësuar veçanërisht alarmuese që një çështje e lidhur me burimet ujore, sigurinë energjetike dhe mirëqenien e qytetarëve të përdoret si instrument presioni ndaj Republikës së Kosovës. "Përdorimi i ujit si presion politik është i papranueshëm", theksoi KASH.
Sipas Këshillit, lumi Ibër dhe sistemi i Ujmanit (Gazivodës) janë vendimtarë për furnizimin me ujë, prodhimin e energjisë, ekonominë dhe jetesën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie. Çdo ndërhyrje e njëanshme që synon të ndryshojë rrjedhën natyrore të lumit dhe shkakton pasoja ndërkufitare përbën, sipas KASH-it, një veprim të papërgjegjshëm që bie ndesh me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare. Këshilli iu referua Konventës së OKB-së të vitit 1997 mbi të Drejtën e Përdorimeve Jo-Lundruese të Rrjedhave Ujore Ndërkombëtare dhe Konventës së UNECE-së të vitit 1992, duke theksuar se projekte të tilla nuk mund të trajtohen si çështje thjesht të brendshme të Serbisë.
KASH i bëri thirrje të drejtpërdrejtë Vuçiqit dhe institucioneve serbe të distancohen nga çdo ide apo veprim i njëanshëm që rrezikon sigurinë ujore dhe stabilitetin e rajonit, dhe kërkoi nga Uashingtoni, Brukseli, OSBE-ja dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë transparencë e sqarime zyrtare nga Beogradi mbi ekzistencën e çdo projekti për devijimin e lumit. "KASH e konsideron të papranueshme përdorimin e ujit dhe të burimeve të tjera jetike si instrument presioni politik. Një retorikë e tillë është në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit rajonal, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe parimeve mbi të cilat duhet të ndërtohet e ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor", u shpreh Këshilli, duke shtuar se "uji është një burim jetik që duhet të bashkojë dhe jo të ndajë popujt".
Ibri, rreth 270 kilometra i gjatë, buron në Mal të Zi, kalon nëpër Serbi dhe hyn në Kosovë, ku furnizon liqenin artificial të Ujmanit; rreth dy të tretat e tij ndodhen në territorin e Kosovës. Uji nga sistemi i Ujmanit dhe i Ibër-Lepencit furnizon shtatë komuna, përdoret për ujitje dhe për ftohjen e termocentraleve në Obiliq, që prodhojnë pjesën më të madhe të energjisë elektrike në vend. Ekspertët që kanë folur më herët për Radion Evropa e Lirë kanë thënë se devijimi i rrjedhës është teknikisht i mundshëm, por jashtëzakonisht i kushtueshëm, dhe se do të binte ndesh me parimet e së drejtës ndërkombëtare nëse do t'i shkaktonte dëme Kosovës. Serbia është nënshkruese e Konventës së OKB-së të vitit 1997 për rrjedhat ujore ndërkombëtare, ndërsa Kosova nuk është palë në të, pasi nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

