Presidenti serb Aleksandar Vučić ka hedhur idenë e ndërtimit të një aksi rrugor nga Kralevja drejt Rashkës, Novi Pazarit dhe Jarinjës — deri në veri të Mitrovicës — me kusht që "amerikanët të mund të merren vesh".

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, ka propozuar zgjatjen e infrastrukturës rrugore nga Kralevja drejt Rashkës, Novi Pazarit dhe Jarinjës, duke shtuar se Beogradi do të ishte i gatshëm të financonte edhe një segment deri në veri të Mitrovicës. Propozimin e bëri gjatë një vizite në kantierin e rrugës së shpejtë Sllepçeviq–Badovinci, në komunën e Bogatiçit.
Vučić e kushtëzoi realizimin e këtij projekti me një marrëveshje me palën amerikane, por theksoi se të gjitha shpenzimet do t'i mbulonte Serbia.
"Ejani të ndërtojmë më tej nga Kralevja drejt Rashkës, Novi Pazarit, drejt Jarinjës. Nëse amerikanët mund të merren vesh, le të punojmë edhe deri në Mitrovicë të Kosovës, deri në Mitrovicën e Veriut. Ne i paguajmë të gjitha. Askush s'ka nevojë për asgjë, ne paguajmë, atje jeton populli ynë. Duam ta bëjmë këtë", tha Vučić. Fjalinë "Ne i paguajmë të gjitha!" ai e përsëriti me theks.
Presidenti serb u ndal edhe te potenciali i rajonit të Podrinjes, duke thënë se një lidhje më e mirë rrugore do t'u afronte qytetarëve zonat turistike si Guçeva, Maçkov Kamen, Krupanji dhe Mali Zvornik. "Atje do të fitonim edhe Guçevën dhe afrimin e krejt pjesës nga Maçkov Kamen, komunës së Krupanjit. Të mos flas për bukuritë e Mali Zvornikut dhe të gjithë asaj pjese të Podrinjes, tuneleve të famshme, bunkerëve të Karagjorgjeviqëve dhe liqenit madhështor. Do të kishte shumë rëndësi për ne dhe do t'i afronte të gjitha", tha ai. Sipas tij, segmentet e reja nuk do t'u shërbenin vetëm banorëve të Beogradit, por para së gjithash atyre të rretheve të Maçvës dhe Kolubarës.
Vizita e presidentit u përqendrua te rruga e shpejtë Sllepçeviq–Badovinci, e cila do të jetë e gjatë 15,3 kilometra dhe përbën një krah të rrugës së shpejtë Shabac–Loznicë, duke shërbyer si një lidhje shtesë me Republikën Sërpska. Aksi është projektuar me nga dy korsi për çdo kah, që lejon shpejtësi deri në 100 kilometra në orë; projekti parasheh ndërtimin e nëntë urave, dy kalimeve, dy kryqëzimeve në nivele të ndryshme dhe rregullimin e rrjedhave ujore në gjatësi 690 metra. Punimet i kryen kompania azerbajxhanase Azvirt.
Vučićin e pritën përfaqësues të Azvirt dhe të ambasadës së Azerbajxhanit, drejtori i Koridoreve të Serbisë, Aleksandar Antić, drejtori i Rrugëve të Serbisë, Zoran Drobnjak, si dhe kryetarët e Shabacit dhe Loznicës. Më herët gjatë ditës, presidenti kishte inspektuar punimet në autostradën Kuzmin–Sremska Raça, ndërsa gjatë ditës parashihej të vizitonte edhe kantiere shkollash në Ub, kompaninë "Z.A. Fruit" në Koceljevë dhe, pasdite, rrethin e Jabllanicës.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

