Aleksandar Vuçiç ka dhënë dorëheqjen nga posti i presidentit të Serbisë, por paralajmëroi se nuk po largohet nga politika. Para mbështetësve me pishtarë, ai pranoi gabime dhe premtoi se Serbia do të bëhet ekonomia më e fortë në Evropë.

Pishtarë të ndezur, brohoritje dhe një fjalim që tingëlloi më shumë si thirrje për betejë sesa si lamtumirë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka dhënë dorëheqjen nga detyra, pasi mbrëmë iu drejtua për herë të fundit si kryetar shteti turmës së mbledhur para ndërtesës së Presidencës.
Mbështetësit e pritën me thirrje në favor të tij. Vuçiç u ndal te vitet e mandatit dhe te ajo që sipas tij e pret vendin, duke e cilësuar mbrëmjen si daljen e tij të fundit nga Presidenca në cilësinë e presidentit.
“Sonte është shansi im i fundit, hera ime e fundit si president në këtë ndërtesë të bukur. Kam qenë president i Serbisë për kohën më të gjatë në historinë serbe, që kur kemi futur demokracinë shumëpartiake. Krenar sepse kam mundur ta bëj këtë falë votave dhe mbështetjes suaj”, tha ai.
Në bilancin e tij, Vuçiç veçoi dy kriza: pandeminë e COVID-19 dhe luftën në Ukrainë. Sipas tij, Serbia ia doli të mos lëkundej. “Pati shumë momente të vështira gjatë asaj periudhe, nga Covid, te konflikti ukrainas-rus dhe gjithçka tjetër. Ne gjithmonë ia dolëm të ruanim paqen dhe stabilitetin e vendit tonë”, deklaroi ai.
Pati edhe një moment autokritike. Presidenti në largim pranoi se gjatë qeverisjes së tij janë bërë gabime, përfshirë nga ai vetë, dhe i drejtoi gishtin atyre që, sipas tij, harrojnë zgjedhësit sapo marrin pushtetin. “Pavarësisht se sa shumë kemi bërë, e di që kemi bërë shumë gabime, i kam bërë edhe unë. Kemi pasur shumë njerëz që janë sjellë me kokëfortësi. Kur marrin detyrën, harrojnë ata që i kanë zgjedhur dhe për të cilët janë zgjedhur. Dua ta ndryshojmë këtë së bashku në të ardhmen”, u shpreh ai.
Për të ardhmen, Vuçiç foli me optimizëm dhe me një premtim ambicioz ekonomik: “E shoh të ardhmen me gëzim sepse e di se na presin shumë fitore dhe suksese të tjera dhe se Serbia do të jetë edhe më e fortë në të ardhmen. Tashmë vitin tjetër do të jemi ekonomia më e fortë në Evropë.”
Mesazhi më i fortë erdhi në fund. Largimi nga posti, la të kuptohet ai, nuk do të thotë largim nga skena politike. “Tani po pres të jap dorëheqjen, por lufta sapo ka filluar. Ne nuk lindëm në karrige. Dhe pa karrige, ne do t’i mposhtim ata”, tha Vuçiç, pa përmendur se kë kishte parasysh.
Vendimi nuk erdhi papritur. Para udhëtimit të tij në Nju Jork, Vuçiç kishte njoftuar se do të jepte dorëheqjen dhe se arsyet do t’i shpjegonte më pas; ato ende nuk janë bërë publike. Dorëheqja vjen në një Serbi që ka përjetuar disa muaj protestash.
Një ditë më herët, në një koktej lamtumire me bashkëpunëtorët në Presidencë, ai kishte dhënë tonin e mbrëmjes: “Të qenit president i Serbisë ishte nderi më i madh për mua. U përpoqa të bëja më të mirën çdo ditë, të justifikoja besimin që më ishte dhënë dhe t’i shërbeja vendit tim me besnikëri dhe ndershmëri. Rroftë Serbia!”
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

