Një plumb në gjoks, në mes të ditës, në një platformë metroje plot njerëz në Midtown të Nju Jorkut. Policia thotë se vrasja nuk ishte e rastësishme dhe po kërkon një burrë me tuta të kuqe e maskë të zezë.

Një burrë ka humbur jetën të shtunën pasdite pasi u qëllua me armë zjarri në një platformë të metrosë në Midtown të Nju Jorkut. Personi që e qëlloi është ende në arrati, ndërsa hetuesit kanë publikuar fotografi të atij që besojnë se kërkohet për vrasjen.
Të shtënat ndodhën rreth orës 12:21 në stacionin e Rrugës 53 Perëndimore me Avenunë 7, ku ndalojnë linjat B, D dhe E. Sipas Policisë së Nju Jorkut (NYPD), "një individ i paidentifikuar iu afrua një mashkulli të paidentifikuar në platformën e trenit E në drejtim të veriut... nxori një armë zjarri dhe e shkrepi, duke e goditur viktimën një herë në gjoks." Pas kësaj, sipas autoriteteve, i armatosuri u largua në këmbë drejt veriut përgjatë Avenusë 7.
Policia ka dhënë edhe përshkrimin e tij: i dyshuari "u pa për herë të fundit i veshur me një tutë të kuqe, një jelek të zi dhe një maskë të zezë në fytyrë, dhe duke mbajtur një çantë shpine". Emri i viktimës nuk është bërë publik.
Në një konferencë për shtyp, policia konfirmoi se nuk e sheh vrasjen si "akt të rastësishëm". Në të njëjtën linjë foli edhe Michael Kemper, shefi i sigurisë në MTA, agjencinë që menaxhon sistemin e metrosë: "Kjo ishte me sa duket një mosmarrëveshje mes tre individëve që përfundoi tragjikisht, dhe kemi bashkëpunuar me NYPD-në në hetim që në minutat e para, veçanërisht për të marrë videot nga kamerat e platformës dhe të vagonëve të trenit."
Për ata që ndodheshin në stacion, momentet ishin të frikshme. Një turiste që u prezantua vetëm si "Miller" tregoi para gazetarëve në vendngjarje atë që kishte përjetuar e bija: "Vajza ime tha: 'O Zot, ka një qitës!' Dhe kështu njerëzit filluan të grumbulloheshin bashkë, të grumbulloheshin, dhe ajo doli jashtë." Sipas saj, e bija u përpoq të paralajmëronte edhe të tjerët: "Ajo po përpiqej t'i bënte shenjë djalit që po vinte me trenin tjetër se aty ishte një qitës aktiv." Dhe një detaj që të ngrin: "Ajo tha se e pa drejt në sy burrin që kishte armën, dhe ai e pa drejt në sy atë."
Kemper theksoi se përplasja mbeti brenda grupit të përfshirë. "Është fat që askush jashtë përleshjes nuk u lëndua... armët nuk kanë vend në transportin publik, prandaj e kemi mbështetur fuqishëm betejën ligjore të Shtetit të Nju Jorkut për t'u siguruar që mbajtja e tyre në sistemin e metrosë të jetë e paligjshme", deklaroi ai.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë informacione për ngjarjen të kontaktojnë linjën telefonike Crime Stoppers të NYPD-së ose të dërgojnë të dhëna në internet.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

