Një operacion i gjerë policor po kërkon dy persona të shpallur në kërkim për vrasjen e turistit portugez në Ksamil, ndërsa një nga pistat çon drejt Kosovës. Në të njëjtën kohë, Lisbona thotë se po monitoron rastin.

Policia ka nisur një operacion të gjerë për të lokalizuar dhe kapur dy persona të shpallur në kërkim, të lidhur me vrasjen e turistit portugez 20-vjeçar në Ksamil.
Në qendër të kërkimeve janë Daniel Gjana, i njohur me nofkën Heurteven, dhe Bekim Bulica, pronar i lokalit "Principotes". Për të dy është nisur ndjekja në disa qytete.
Kontrollet janë shtrirë në Vorë, Kukës dhe në disa zona të Tiranës. Të tjera bastisje janë kryer edhe në disa hotele e banesa në fshatin Kolesjan të Kukësit.
Sipas policisë, një nga pistat që po hetohen është mundësia që Gjana dhe Bulica të jenë larguar drejt Kosovës, ku thuhet se kanë miqësi dhe njohje të vjetra.
Ndërkohë, rasti po ndiqet me vëmendje edhe nga Lisbona. Raquel Trindade, nga zyra e Ministrit portugez të Punëve të Jashtme, ka thënë se qeveria ende nuk ka informacion zyrtar për atë që ka ndodhur dhe as për ecurinë e hetimeve.
"Ministria e Punëve të Jashtme po ndjek rastin e këtij shtetasi portugez që vdiq në Shqipëri dhe, nëpërmjet ambasadës së saj në Romë dhe gjithashtu konsullatës së nderit në Tiranë, po bashkëpunojmë me autoritetet lokale", tha Trindade për median portugeze Renascença, duke shtuar se "për momentin" nuk dihet saktësisht se çfarë ka ndodhur.
"Ne e dimë nga shtypi lokal se ka pasur arrestime, por për momentin nuk kemi ende informacion përmes rrjetit tonë", tha ajo. Sipas zyrtares, Ministria "do të vazhdojë të monitorojë atë që është e nevojshme, si me autoritetet lokale ashtu edhe me familjet".
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

