Sokrat Vata, i arrestuar për vrasjen e turistit të ri portugez në Ksamil, nuk pranoi të jepte asnjë deklarim para hetuesve. Ndërkohë dëshmitë e dy shtetasve turq dhe të miqve të viktimës nisin të ndriçojnë se çfarë ndodhi atë natë.

Personi i arrestuar për vrasjen e turistit të ri portugez në Ksamil ka zgjedhur heshtjen. Sokrat Vata, 29 vjeç, u përball me grupin hetimor për të sqaruar rrethanat e krimit të rëndë, por nuk dha asnjë deklarim para hetuesve.
Ndryshe nga i dyshuari, dy shtetasit turq që po e shoqëronin Vatën gjatë përpjekjes për t'u arratisur kanë folur. Në prani të përkthyesve, ata thanë se ishin klientë të përhershëm në lokalin "Principotes" dhe se e paguanin 29-vjeçarin si bodigard dhe shoqërues personal. Sipas tyre, Vatën e kishin marrë në automjet thjesht për shkak të marrëdhënies shoqërore që kishin krijuar me të.
Në pyetje u thirrën edhe miqtë e viktimës, të cilët sqaruan dinamikën e ngjarjes. Sipas dëshmive të tyre, sherri dyshohet të ketë nisur pas ngacmimit të një vajze brenda ambientit të lokalit.
Në konfliktin që pasoi u përfshinë shumë persona që përlesheshin me njëri-tjetrin, një situatë në të cilën ndërhynë edhe rojet e sigurisë. Turisti 20-vjeçar portugez, sipas dëshmive, kishte ndërhyrë vetëm për të ndarë palët në përplasje, përpara se të goditej me pasoja fatale.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

