Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, zbret sot në Prishtinë për një vizitë zyrtare. Përballë terminalit VIP do ta presë një protestë e paralajmëruar kundër verdiktit të Gjykatës Speciale në Hagë.

Vizita zyrtare e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Kosovë do të nisë sot nën hijen e një proteste. Para terminalit VIP të Aeroportit Ndërkombëtar "Adem Jashari", pikërisht aty ku pritet të aterojë, është paralajmëruar një tubim kundër verdiktit të Gjykatës Speciale në Hagë.
Von der Leyen pritet të arrijë në aeroport rreth orës 12:00, ndërsa më pas do të pritet nga Kurti në Kryeministri. Organizatorët e protestës e kanë caktuar tubimin për orën 12:05, duke e lidhur drejtpërdrejt me momentin e mbërritjes së saj.
Në njoftimin e shpërndarë një ditë më parë, organizatorët, që paraqiten si rinia, e cilësojnë vendimin e gjykatës në Hagë të padrejtë dhe shkruajnë: "Pas verdiktit antihistorik të Gjykatës Speciale në Hagë, rinia do të shprehë në mënyrë paqësore qëndrimin e saj për drejtësinë, historinë dhe dinjitetin e Kosovës."
Thirrja thekson disa herë karakterin paqësor të tubimit. Pjesëmarrësit ftohen të vijnë "me parulla dhe mesazhe qytetare, pa dhunë dhe pa provokime", ndërsa njoftimi mbyllet me mesazhin: "Pa dhunë. Pa provokime. Me dinjitet dhe qytetari." Sipas organizatorëve, "zëri i rinisë dëgjohet më fuqishëm kur shprehet paqësisht dhe me dinjitet."
Nuk dihet ende sa njerëz pritet t'i bashkohen tubimit dhe nëse janë marrë masa të veçanta sigurie në zonën e aeroportit.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

