Kryesia e Kuvendit e ka futur nënkryetaren Vlora Çitaku në grupin punues që harmonizon qasjen shtetërore ndaj procedurave dhe afateve para Dhomave të Specializuara në Hagë. Në të njëjtën mbledhje u caktua seanca e së enjtes dhe u diskutua vizita e një delegacioni të madh të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Kuvendi i Kosovës do të jetë i përfaqësuar drejtpërdrejt në grupin punues që po harmonizon strategjinë shtetërore lidhur me procedurat dhe afatet para Dhomave të Specializuara në Hagë. Kryesia e Kuvendit caktoi për këtë detyrë nënkryetaren e Kuvendit, Vlora Çitaku.
Vendimi u mor në mbledhjen e Kryesisë, të udhëhequr nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu. Para mediave, Haxhiu tha se ka thirrur vazhdimisht takime me anëtarët e tjerë të grupit, me synimin që Kuvendi të japë kontributin maksimal, dhe paralajmëroi se në punë do të përfshihen edhe ekspertë të fushës.
"Por, po ashtu, natyrisht që do të ftohen edhe ekspertë të fushës që mund të japin kontributin e tyre profesional në këtë grup. Pra, si vendim e kam mirëpritur dhe vlerësoj që është rruga e duhur në përballjen tonë me këtë proces të rëndë dhe po ashtu të padrejtë", deklaroi Haxhiu.
Kryesia vendosi gjithashtu kalendarin e punës për ditët në vijim. Seanca plenare do të mbahet të enjten e ardhshme, me fillim në orën 10:00. Përveç deklarimeve të deputetëve jashtë rendit të ditës, në seancë do të ketë edhe pyetje parlamentare për kabinetin qeveritar, ndërsa në rend të ditës është edhe formimi i komisionit për përzgjedhjen e kandidatëve për Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës.
"Në këtë seancë, sot janë formuar edhe komisionet për procedimin e kandidatëve për bordin e Radiotelevizionit të Kosovës", tha Haxhiu.
Një tjetër pikë e mbledhjes ishte përbërja e delegacioneve parlamentare. Sipas kryetares së Kuvendit, në fund të këtij muaji në Kuvendin e Republikës së Kosovës pritet të qëndrojë një delegacion i madh nga Asambleja Parlamentare e NATO-s, prandaj Kryesia i dha përparësi përbërjes së delegacioneve për këtë asamble, si dhe për Këshillin e Evropës, SECEI-n dhe Frankofoninë.
"Ne do ta kemi në fund të këtij muaji një delegacion shumë të madh nga Asambleja Parlamentare e NATO-s, pra në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Prandaj, kemi trajtuar me prioritet përbërjen e komisionit apo delegacionit për Asamblenë Parlamentare të NATO-s, të Këshillit të Evropës, të SECEI-t dhe të Frankofonisë", tha Haxhiu.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

