Një shtëpi e pabanuar në fshatin Kneževo Berdo të Leposaviqit ishte zbrazur nga gjeneratorë, vegla pune dhe një veturë e kuqe pa dokumente. Muaj më vonë, hetuesit lokalizuan automjetin e fshehur dhe identifikuan pesë të dyshuar.

Tre gjeneratorë, një multikultivator me kosë, mbushës baterish, brusilica (smerilë), makina me bateri për shpim, një set çelësash dhe vegla të tjera pune: kjo ishte lista e asaj që ishte zhdukur nga një shtëpi e pabanuar në fshatin Kneževo Berdo të Leposaviqit. Bashkë me to kishte humbur edhe një "Lada Niva" e kuqe, pa dokumentacion, të cilën pronari e kishte vlerësuar rreth 1 mijë euro.
Rastin e kishte denoncuar R.C., 78-vjeçar që jeton në Serbi, duke raportuar se shtëpia e tij ishte thyer dhe se prej saj ishin marrë pajisje me vlerë mijëra euro. Çështja u iniciua si "Vjedhje e rëndë" dhe hetimi u zgjat disa muaj.
Kthesa erdhi më 18 shtator. Rreth orës 18:00, hetuesit lokalizuan vendin ku ishte fshehur vetura e vjedhur. Automjeti u ekzaminua dhe më pas iu kthye pronarit. Gjatë veprimeve hetimore u gjetën edhe disa nga pajisjet e marra nga shtëpia: një brusilicë elektrike, një makinë me bateri për shpim dhe një kompresor për fryrjen e gomave.
Hetuesit identifikuan pesë persona të dyshuar, të cilët u shoqëruan në stacionin policor. Njëri prej tyre nuk mundi të intervistohej, pasi ishte nën ndikimin e alkoolit, me rezultat prej 1.05 për qind. Katër të tjerët u intervistuan në praninë e avokatëve mbrojtës dhe raportohet se kanë pranuar përfshirjen në veprën që po hetohet.
Pas njoftimit të prokurorit kujdestar, u urdhërua dërgimi në mbajtje i katër të dyshuarve. I pesti u lirua për shkak të gjendjes shëndetësore, pasi kishte kryer një operacion në këmbën e djathtë.
Për të pestë vlen parimi i prezumimit të pafajësisë derisa fajësia të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

