Dy pacientë, njëri mbi 60 vjeç dhe një grua 80-vjeçare, humbën jetën javën e kaluar në Klinikën Infektive të QKUK-së nga virusi i Nilit Perëndimor. Një pacient tjetër mbetet në gjendje të rëndë, ndërsa IKSHPK ka kërkuar masa urgjente nga komunat.

Dy jetë të humbura brenda një jave në Klinikën Infektive të QKUK-së. Njëri nga pacientët ishte mbi 60 vjeç, tjetra 80-vjeçe. Të dy vdiqën nga virusi i Nilit Perëndimor, një infeksion që në Kosovë po numërohet tashmë me raste të konfirmuara.
Në repartin e infektivës gjendet ende një pacient tjetër me këtë virus, në gjendje të rëndë. Pjesa tjetër e të prekurve janë liruar pas trajtimit.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), nga 7 gushti deri më 18 shtator janë konfirmuar shtatë raste pozitive, në të cilat përfshihen edhe dy personat që humbën jetën.
Tabloja e të infektuarve tregon një përhapje të shpërndarë dhe jo të lidhur me një vatër të vetme: pacientët janë nga mosha 10-vjeçare deri te mosha 80-vjeçare, nuk kanë asnjë lidhje familjare mes vetes dhe vijnë nga qytete të ndryshme. Vetëm njëri prej shtatë të infektuarve ka deklaruar se ka pasur histori udhëtimi, çka do të thotë se pjesa dërrmuese e rasteve është shfaqur brenda vendit.
Infektologët theksojnë se bartja e këtij infeksioni nuk ndodh përmes kontaktit fizik mes njerëzve, por përmes mushkonjave që gjenden në vend. Prania e mbeturinave dhe e mbetjeve të tjera ndihmon drejtpërdrejt në shumimin e tyre.
Pikërisht për këtë arsye, IKSHPK u ka bërë thirrje komunave që të ndërmarrin masa konkrete, duke e vendosur pastrimin e hapësirave dhe luftimin e vatrave të mushkonjave në qendër të përgjigjes ndaj përhapjes së virusit.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

