Një video me një të ri të dëmtuar në këmbë, të shoqëruar nga policia pranë Parlamentit, çoi në pezullimin e menjëhershëm të katër policëve dhe të shefit të Rendit në Komisariatin Nr. 1. Rasti është tani në duart e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe të Prokurorisë.

Pesë punonjës të Policisë së Shtetit, mes tyre edhe shefi i Rendit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, janë larguar nga detyra pas publikimit në media të një videoje me një 19-vjeçar të dëmtuar në këmbë, ndërsa policët e shoqëronin pranë Parlamentit.
Në pamje shfaqet i riu, i identifikuar nga policia me inicialet L. B., teksa dërgohet nga uniformat blu drejt spitalit për ndihmë mjekësore. Sipas Policisë së Shtetit, menjëherë pas daljes së videos janë nisur verifikimet për të sqaruar rrethanat e rastit dhe mënyrën se si është trajtuar ai nga punonjësit e Policisë. Si është dëmtuar i riu, ende nuk është bërë e ditur.
Pa pritur përfundimin e verifikimeve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi pezullimin e katër punonjësve dhe të nënkomisarit F. K., shefit të Rendit në Komisariatin Nr. 1. Ndaj tyre ka nisur hetimin disiplinor Drejtoria e Standardeve Profesionale.
Po me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm është ngritur një grup i posaçëm, i drejtuar nga e njëjta drejtori, që do të analizojë të gjitha veprimet e policëve nga fillimi deri në përfundim të tubimit, si dhe zbatimin e procedurave standarde të punës. "Çdo punonjës që ka shkelur procedurat apo ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi", thekson Policia e Shtetit.
Rasti ka kaluar edhe përtej kontrollit të brendshëm: Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur hetimet.
Në të njëjtin reagim, policia u ndal edhe te dhuna në rrugët e kryeqytetit. "Policia e Shtetit thekson se aktet e dhunshme të shfaqura prej orësh në kryeqytet, përfshirë dëmtimin, shkatërrimin dhe djegien e pronës, nuk kanë asnjë lidhje me ushtrimin paqësor të së drejtës për protestë dhe nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë", thuhet në deklaratë.
Policia iu drejtua drejtpërdrejt personave me maska: "Policia e Shtetit u bën thirrje personave të maskuar dhe atyre që kryejnë akte dhune e shkatërrimi t'i ndalin menjëherë, pasi do të përballen me forcën e ligjit." Ndërkohë, qytetarëve iu kërkua të mbajnë distancë: "Gjithashtu, Policia e Shtetit u kërkon qytetarëve të distancohen nga personat e dhunshëm, për të garantuar sigurinë e tyre."
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

