Ish-drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe shoferi i tij përballen sërish me gjykatën, pas kthimit të pjesshëm të çështjes në rigjykim. Në qendër të akuzave: para e dhurata për të ndikuar në një dënim dhe një udhëtim drejt Shqipërisë me automjet të institucionit.

Në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë pritet të mbahet sot, në orën 09:30, seanca ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi, dhe shoferit të tij, Ardian Krasniqi. Seanca ishte paraparë fillimisht për 3 shtator, por u anulua pasi kryetari i trupit gjykues ishte në pushim mjekësor.
Të dy të akuzuarit ngarkohen me ushtrim të ndikimit dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ndërsa ndaj Ardian Krasniqit rëndon edhe akuza për falsifikim të dokumenteve.
Sipas aktakuzës së ngritur më 13 gusht 2021, dyshohet se nga janari i vitit 2018 deri në fund të vitit 2019 të dy kishin kërkuar dhe pranuar para e dhurata nga Bashkim Mulolli. Prokuroria pretendon se këto përfitime, të përshkruara në aktakuzë në vlerë prej 40 mijë eurosh, ishin kërkuar në këmbim të ndikimit për uljen e dënimit të tij dhe për shtyrjen e ekzekutimit të burgimit.
Një pretendim i dytë i Prokurorisë ka të bëjë me veturën zyrtare të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Sipas aktakuzës, ajo u përdor për t'i mundësuar personit të identifikuar me inicialet A.M. largimin nga Kosova drejt Shqipërisë, duke u shfrytëzuar gjatë këtij veprimi logoja zyrtare dhe dritat sinjalizuese të automjetit.
Ardian Krasniqi akuzohet gjithashtu se kishte falsifikuar rezultatet e një testi për COVID-19 për Bashkim Mulollin, me qëllim që të shtyhej ekzekutimi i dënimit.
Çështja u rikthye pjesërisht në rigjykim pasi Gjykata e Apelit anuloi pjesën e aktgjykimit lirues ndaj Lavdim Krasniqit që lidhej me ushtrimin e ndikimit dhe keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar, duke kërkuar rivlerësimin e rrethanave dhe provave për këto akuza.
Gjatë gjykimeve të mëparshme, Lavdim Krasniqi i ka mohuar akuzat. Personat e përmendur prezumohen të pafajshëm derisa fajësia të mos provohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

